Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se ka takuar sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Sipas njoftimit për media, temat qendrore të diskumtimit ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe mënyrat për avancimin e tyre dhe propozimi evropian për normalizim të raporteve me Serbinë.
Kurti theksoi se Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog teksa dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO.
“Ai e falënderoi ambasadorin Guérot për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, si në zhvillimin e brendshëm ashtu edhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim. Kryeministri i Kosovës është shprehur se nuk do të lejojë krijimin e asaj që quhet “Zajednica”, ndërkohë ka parashtruar gjashtë kushte për formimin e Asociacionit.
Kushtet e Kurtit për Asociacionin:
– Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.
-Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.
-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013./abcnews.al