Pronari i hotelit tregon si ndodhi atentati: Qëlluan drejt dhomës së djalit! Na rrezikohet jeta

schedule11:02 - 8 Gusht, 2020

schedule 11:02 - 8 Gusht, 2020

Jetmir Muçollari, pronari i hotelit në Tushemisht ku u qëllua me breshëri plumbash mëngjesin e sotëm ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

Ai thotë se të shtënat janë regjistruar rreth orës 4:40 minuta të mëngjesit, dhe kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me kallashnikov në drejtim të makinave të parkuara.

Muçollari shprehet se ata kanë qëlluar në drejtim të dhomës ku flinte djali, dhe dy dhomave të tjera ku po qëndronin disa pushues. Ata i kanë kërkuar rojes të mos lëvizë duke e kërcënuar atë me armë.

Nga plumbat janë prekur dy makinat e Muçollarit dhe djalit të tij dhe katër automjete të turistëve.

Ai shprehet se në shënjestër të këtij atentati ka qenë djali i tij, pas një konflikti verbal që ka pasur me dy persona, ndërsa kërkon mbrojtje nga shteti për dy djemtë e tij pasi ndihen të rrezikuar.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 04:40 minuta. Kanë qenë dy persona në këmbë, të cilët kanë qëlluar me kallashnikovë, duke shkrehur disa karikatorë në drejtim të makinave të parkuara dhe hotelit.

Atentatorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave në të cilat kishte pushues. Nga plumbat nuk ka persona të lënduar.

Fillimisht autorët qëlluan në drejtim të rojes së hotelit, duke i kërkuar të mos lëvizte. Plumbat dëmtuan dy makinat e mia dhe të djalit dhe 4 mjete të turistëve.

Jemi të kërcënuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektivi i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qenë djali im. Edhe para një viti kanë djegur makiën e djalir për shkak të një konflikti verbal me dy persona, njëri prej të cilëve u dënuar nga Gjykata.

I kam denoncuar me emra autorët por policia nuk vepron. Kërkoj azil për dy djemtë pasi ju kërcënohet jeta”, shprehet Muçollari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!