Promovimi i Euro 2024 / Ambasadorja gjermane e futbollit, Steffi Jones vjen për vizitë në Shqipëri

schedule16:56 - 21 Prill, 2024

schedule 16:56 - 21 Prill, 2024

Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë këtë të hënë në “Shtëpinë e Futbollit” një nga futbollistet më të mira në historinë e kombëtares gjermane, Steffi Jones, në kuadër të promovimit të futbollit të vajzave në Shqipëri dhe në rolin e saj si ambasadore e Gjermanisë për Euro 2024.

Steffi Jones ka një karrierë fantastike me kombëtaren gjermane duke fituar Kupën e Botës për femra në vitin 2003, Kampionatin Europian për femra në vitet 1997, 2001 dhe 2005, si dhe medalje bronzi në Olimpiadat “Sidnei 2000” dhe “Athinë 2004”. Në nivel klubi ka fituar dy herë Champions League për femra në vitet 2002 dhe 2006, si dhe 2 tituj kampion në Gjermani me FSV Frankfurt dhe 2 të tillë në SHBA me ekipin e Uashington.

Pas përfundimit të karrierës së saj si lojtare në vitin 2007, Jones mori presidencën e komitetit organizativ të Kupës së Botës për femra 2011, duke promovuar turneun në mbarë globin dhe duke mbikëqyrur një ngjarje të suksesshme ku morën pjesë më shumë se 800,000 njerëz.

Gjithashtu një trajnere e kualifikuar, ajo më pas pranoi një rol si drejtoreshë e futbollit të femrave në Federatën Gjermane të Futbollit (DFB). Ajo ka shkruar gjithashtu një autobiografi të mirënjohur me titullin “Der Kick des Lebens” (The Kick of Life).

Në tetor 2011 ajo u emërua si ambasadore për programin e zhvillimit të futbollit të femrave të UEFA-s dhe më vonë mori atë pozicion për finalen e Champions League për Femra 2012 në Mynih dhe Europianin 2013 për femra në Suedi.

Steffi Jones do të vizitojë ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku do të zhvillojë një orë të hapur diskutimesh me drejtues të FSHF-së, futbollistë, trajnerë dhe gazetarë mbi karrierën e saj, zhvillimin e futbollit të vajzave, Euro 2024 teksa në fokus të takimeve do të jenë edhe temat e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit.

Në vazhdim ajo do të ndjekë një seancë stërvitore të Akademive të vajzave KS Ali Demi dhe Kastriotët, duke u përfshirë në aktivitete dhe biseda me futbollistet.

Ndërkohë, Steffi Jones do të vizitojë edhe ambientet e fshatit SOS në Tiranë dhe do zhvillojë biseda me fëmijët mbi futbollin, duke demonstruar disa teknika sportive. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!