Hetimet/ Prokuroria do auditin e vitit 2019, KOKSH: Nuk e kemi!

schedule18:39 - 13 Korrik, 2020

schedule 18:39 - 13 Korrik, 2020

Pavarësisht anës bllokuse të zgjedhjeve të ardhshme të KOKSH nga vetë Bordi dhe presidenti aktual, ajo që vepron intensivisht me dhe me shpejtësi mbetet Prokuroria e Tiranës, e cila në bazë të Procedimit Penal Nr. 8729 në ngarkim të Sekretarit të Përgjithshëm Stavri Bello vijon të jetë shumë aktive në lidhje me çështjen e cila mori udhë vitin e shkuar pas denoncimit në Krimin Ekonomik e më pas në organin e akuzës nga ana e Presidentit Bezhani.

Së fundit, Prokuroria e Tiranës me një shkresë-kërkesë të datës 28.05.2020 drejtuar Komitetit Olimpik, dhe për shkak të ecurisë së kalimit të afateve të hetimit ka kërkuar informacion për raportin e Auditimit për vitet 2018 dhe 2019. Një kërkesë kjo e nënshkruar nga drejtuesi i aksionit Genci Qano, me delegim të Drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, znj. Elizabeta Imeraj. Po kështu është kërkuar si material edhe një kopje e bazës ligjore të funksionimit të KOKSH.

 

Kerkesa e Prokurorise

Ndërkaq, kësaj shkrese I është përgjigjur sekretari Bello me shkresën e datës 3 qeshor, duke I vënë në dispozicionin, raportin e auditit të vitit 2018, kopjen e rezolutës së miratuar të 9 shkurtit në Asamblenë e Jashtëzakonshme,statutin e KOKSH, si dhe rregulloret e brendshme të funksionit në KOKSH. Por, në anën tjetër, Prokurorisë nuk I është dorëzuar auditi i vitit 2019, që sipas afateve kohore duhet të përfundonte brenda marsit të vitit 2020. Për këtë mungesë argumentimi ka qenë që Auditi I vitit 2019 nuk është kryer ende, deri në një vendim të organeve drejtuese të KOKSH, I ndikuar edhe nga pandemia Covid-19.  I kontaktuar për këtë kërkesë të Prokurorisë, sekretari Bello konfirmon këtë shkresë në një kohë që thotë që përgjigja nuk është dakordësuar me Komitetin Ekzekutiv, por në mbledhjen me të parë të Bordit do të vërë në dijeni për këtë kërkesë të organit të akuzës dhe përgjigjen e dhënë. Ndërkaq, nga pala tjetër pretendimet janë që qëllimisht auditi i vitit 2019 nuk është kryer për shkak se një pjesë dërrmuese e vendimeve të marra nuk janë firmosur nga Presidenti në detyrë Bezhani. Dhe kjo mund të sillte komplikacion tjetër në fazën e hetimeve.

 

Pergjigje e Bellos

Pavarësisht rezolutës dhe shuarjes momentale të flakëve olimpike shqiptare mes krerëve, sado të jetë dëshira për armëpushim të palëve, Prokuroria nuk ndikohet  nga një diçka e tillë, pasi e ka të regjistruar këtë çështje si procedim penal që vitin e shkuar dhe si I tillë do të shkojë deri në përfundimin e plotë të fazës hetimore. Një korrespondencë e tillë konfirmon edhe fazën aktive të organit të akuzës mbi lëvizjet financiare të denoncuara nga Bezhani. Por, një diçka e tillë nuk mund të jetë kurrsesi një alibi për të shtyrë pambarimisht respektimin e rezolutës së 9 shkurtit për nisjes e procesit zgjedhor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!