Juristi Jordan Daci e cilësoi një atentat ndaj Kushtetutës dhe Konventës së të Drejtave të njeriut miratimin e aktit normativ të cilësuar si “Anti-KÇK”.
I ftuar në Abc News, Daci tha se ministrat kanë kryer një shkelje të Kushtetutës me atë që bënë dje dhe nëse do të kishim një prokurori të pavaruar sipas tij, ministrat duhej të merreshin si të pandehur pasi kanë bërë një shkelje të madhe.
“Ky Akt Normativ është një maskarallëk ligjor duke e kthyer shtetin nga një shtet ligjor në një shtet policor. Shkelet Kushtetuta dhe Konveta e të Drejtave të Njeriut“, tha Daci duke shtuar se qeveria mund të miratojë Akte Normative me efekte të tilla vetëm në situata emrgjencë.
“Por ne nuk jemi në një situatë emergjence tani. Kuvendi funksionon dhe Akti Normativ duhej të ishte dërguar në Kuvend dhe të diskutohej atje. Kufizimi i të drejtave themelore të njeriut siç bën ky Akt Normativ, bëhet vetëm me ligj dhe miratohet në Kuvend. Pratikisht ky akt normativ hedh Kushtetutën në plehra. Madje cënon në mënyrë të drejtpërdrejt Reformë në Drejtësi duke marrë kompetenca të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për t’ja dhënë KLGJ-së apo KLP-së“, vijoi Daci duke shtuar se këto ndryshime e kthejnë shtetin nga një shtet ligjor në një shtet policor dhe do t’i kishte zili çdo diktator në botë. /abcnews.al