Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një bilanc për krimet zgjedhore pas procesit të 25 Prillit. Sipas njoftimit të shpërndarë nga institucioni i drejtuar nga Olsian Çela për periudhën parazgjedhore rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 82 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet, prej të cilave 2 janë regjistruar kryesisht.
Aktualisht, po sipas prokurorisë së përgjithshme janë 10 persona të cilët po ndiqen penalisht për veprat penale të mësipërme. “Janë arrestuar në flagrancë 4 persona, është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 3 persona dhe është pranuar kërkesa për 2 persona”.
70 kallëzime penale i kanë bërë vetë partitë politike ose kandidatët. “Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marrë gjithsej 158 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve prej të cilave, 91 drejtpërdrejt në prokurori.
Nga këto të fundit 70 njoftime përbëjnë kallëzime të subjekteve politike/kandidatëve drejtpërdrejt në prokurori, 3 njoftime të shtetasve në prokurori dhe 18 njoftime të institucioneve shtetërore në prokurori. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar me vendim pushimi 20 çështje me 2 persona ne hetim. Janë pezulluar 3 çështje dhe janë në gjykim 4 çështje me 4 persona” thotë më tej njoftimi.
Në proces verifikimi paraprak janë 13 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 34 njoftime./ Abcnews.al