Prokurorët rusë kërkojnë 20 vjet burg për Alexei Navalny

schedule18:23 - 20 Korrik, 2023

schedule 18:23 - 20 Korrik, 2023

Prokurorët publikë rusë kërkuan sot që politikani i opozitës ruse, Alexei Navalny, të dënohet me 20 vjet burg, me akuza për aktivitet ekstremist, tha gjykata që dëgjoi rastin e tij, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Agjencia TASS, duke cituar avokatin e Navalny, raportoi se vendimi do të shpallet më 4 gusht.

Gjyqi i Navalny filloi muajin e kaluar me dyer të mbyllura në koloninë penale IK-6 në Melekhovo, rreth 235 kilometra në lindje të Moskës, ku ai tashmë po vuan dënime prej 11-1/2 vjet për mashtrim dhe akuza të tjera që ai thotë se ishin sajuar për t’i mbyllur gojën.

Siç sqaron faqja e Mediazona, në total, pa përfshirë takimin e sotëm, janë zhvilluar 16 takime. Që nga fillimi i gjyqit, gazetarëve iu ndalua hyrja në sallën e gjyqit, ndërsa hyrja e publikut në gjyq u ndalua më pas.

Navalny akuzohet sipas gjashtë neneve të Kodit Penal të Rusisë: për thirrje për ekstremizëm, për krijimin e një OJQ që shkel të drejtat e qytetarëve, për financimin e veprimtarisë ekstremiste, për krijimin e një organizate ekstremiste, për tërheqjen e të miturve me qëllim të kryerjes së akteve të rrezikshme dhe për rivendosjen e nazizmit.

Në bazë të këtyre neneve, ekziston mundësia që ai të dënohet me 30 vite burg.

Së bashku me Navalnin në të njëjtin rast, është në gjyq edhe ish-drejtori teknik i kanalit Navalnii LIVE në YouTube, Daniel Halodnyi, i cili tashmë është në paraburgim prej më shumë se një viti.

Dëshmitarë të mbrojtjes në çështjen Navalny ishin politikanët e dënuar rusë Ilya Yashin, Vladimir Kara-Murza dhe Lilia Chanisheva, si dhe ish-kryetari i qytetit të Yekaterinburgut Yevgeny Roizman dhe gazetari fitues i çmimit Nobel për Paqe dhe drejtori i gazetës Novaya Gazeta Dmitry Muratov.

Sot, më 20 korrik, Alexei Navalny, duke iu drejtuar gjykatës, kritikoi autoritetet ruse për varfërimin e popullit rus që ata kanë shkaktuar dhe dënoi përsëri luftën në Ukrainë. “Rusia ime, bëri disa kërcime të mëdha, duke i shtyrë të gjithë rreth saj, por më pas ajo rrëshqiti dhe u rrëzua me një goditje, duke shkatërruar gjithçka rreth saj. Dhe tani ajo ngec në një pellg me baltë ose gjak, me kocka të thyera, me një popull të varfër, të grabitur, ndërsa rreth tij qëndrojnë dhjetëra mijëra të vdekur në luftën më të pakuptimtë të shekullit të 21-të”, tha Navalny.

Teksti i fjalës së tij në gjykatë është publikuar në rrjetet sociale të politikanit rus.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!