“Edhe nëse kërkoni 113 vite burg, nuk do të më trembni mua, apo të tjerë si unë.” Kështu raportohet të jetë shprehur lideri i opozitës ruse në seancën gjyqësore që u mbajt sot kundër tij.
Prokurorët rusë kanë kërkuar sot 13 vite burg për kritikun e regjimit Alexei Navalny, për akuzat për mashtrim. Navalny, kritiku më i zëshëm vendas i Presidentit Putin, u burgos vitin e kaluar pasi i mbijetoi një sulmi me agjent nervor për të cilin fajëson Kremlinin.
Ai tani përballet me akuza të tjera ndërsa po vuan një dënim prej 2.5 vitesh në një burg jashtë Moskës.
“Kërkoj që Navalny të dënohet me një afat prej 13 vjetësh dhe dy vite më pas me kusht”, u citua të ketë thënë prokurorja Nadezhda Tikhonova nga agjencitë ruse të lajmeve.
Ajo kërkoi gjithashtu që lideri i opozitës ruse të paguajë një gjobë prej 1.2 milionë rublash (8,685 dollarë).
“Nuk mund t’i futësh të gjithë në burg. Edhe nëse kërkoni 113 vjet, nuk do të më trembni mua apo të tjerët si unë”, tha Navalny në gjykatë, sipas asaj që deklaroi ekipi i tij në mediat sociale.
Gjyqtari i rastit do të marrë një vendim më 22 mars. /abcnews.al/