Stafit të presidentit Donald Trump do t’i duhet të japë llogari para drejtësisë amerikane për shpenzimin e një fondi rekord për një ceremoni përurimi. Edhe pse është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me hetuesit, stafi i kreut të shtetit ndodhet nën ethe, për shkak se bëhet fjalë për një shifër rekord.
Prokuroria e Manhatanit në Shtetet e Bashkuara ka ftuar stafin e presidentit Donald Trump që të japë llogari në lidhje me shpenzimin e një shifre rekord prej 100 milionë dollarësh. Organi i akuzës i ka kërkuar stafit që kujdeset për ceremonitë e përurimit dokumentat që hedhin dritë mbi akumulimin e fondit, identitetin e donatorit, nënshtetësinë e tij dhe mbi mënyrën e shpenzimit të parave. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders konfirmoi të martën për CNN thirrjen e prokurorëve, por nënvizoi se urdhëri nuk ka lidhje me presidentin. Gjithashtu, vijoi ajo, thirrja nuk flet për ndonjë keqpërdorim të fondit. Lajmi është pohuar edhe nga një zëdhënëse e komitetit përurues të Trump, e cila ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë. Sipas ligjit zgjedhor federal, shtetasve të huaj u ndalohet donacioni për komitetet amerikane të përurimeve dhe një shkelje e tij parashikon dënime të rënda. Hetimi në fjalë po zhvillohet më vete nga ai i hetuesit të posaçëm Robert Myler, që po përpiqet të hedhë dritë mbi lidhjet e stafit elektoral të Trump me Rusinë. Thirrja e bërë nga zyra e prokurorit të Manhatanit vjen pas gjykimit të ish-avokatit personal të Trump, Majkëll Kohen, për shkelje të ligjeve të fushatës elektorale./abcnews.al