Pasi konfirmoi qëndrimin e Milanit për të rifilluar Serie A dhe për të mbyllur këtë sezon futbollistik, Paolo Scaroni ka prekur edhe tema të tjera. Presidenti i kuqezinjve ndalet te Ivan Gazidis, CEO i klubit në një prononcim për Olympialex dhe zbulon Milanin e së ardhmes, duke vlerësuar afrimin e Ralf Rangnick në pankinë.
GAZIDIS – ”Gazidis është një profesionist në botën e futbollit dhe kujdeset për tre sektorë. Misioni i parë është ndërtimi i një skuadre të re, e cila luan futboll të shpejtë, më shpejt sesa ajo që shihet zakonisht në Itali. Një stil loje i ngjashëm me modelin anglez dhe Ajax. Pjesa e dytë ka të bëjë me stadiumin e ri.
San Siro ka një emër të madh, por është totalisht i vjetëruar për futbollin. Seksioni i tretë janë sponsorët. Milan ka nevojë për ta, pa sponsorë nuk vijnë rezultatet dhe pa rezultate nuk vijnë sponsorët. Sfida është të fitojmë tifozë të rinj kudo, në vende si Kina, Indonezia dhe Pakistani, duke luajtur ndeshjet në oraret e përputhshme me të drejtat televizive”.
MILAN – “Unë mendoj se ne jemi skuadra më e re në Serie A. Kemi bërë disa gabime, ne ndryshuam trajnerin në fillim të sezonit, Giampaolo ndoshta nuk ishte një zgjedhje fatlume për ne. Gabimet i kemi lënë pas. Ne duam ta rikthejmë Milanin atje ku e meriton”.
PROJEKTI – “Po merremi me ndërtimin e një organizimi të qëndrueshëm për Milanin. Shumë tifozë nuk ia kanë idenë menaxhimit të një klubi. Nëse jeni një klub që po fiton, e ardhmja është plot sponsorë, përndryshe rruga është shumë e gjatë. Po bëj një krahasim me La Scala-n, aty ku kam qëndruar në bord për 9 vjet. Gjëja më e vështirë për tu menaxhuar janë këngëtarët, ata janë si futbollistët”. /abcnews.al