Programet ekonomike, reale apo elektorale? Flasin ekspertët: Aventura, ku do i gjejnë lekët?

schedule16:59 - 30 Shtator, 2020

schedule 16:59 - 30 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Ekonomia duket se do të jetë një ndër pikat e debatit midis maxhorancës dhe opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por sipas ekspertëve asnjëra nga palët nuk ka një program të mirëfilltë ekonomik. Ish-deputeti Sherefedin Shehu njohës shumë i mirë i ekonomisë thekson se platforma e PD-së nuk është e detajuar pasi i mungon një plan i mirëfilltë për mbledhjen e të ardhurave apo për të thithur investime.

Platforma e detajuar siç e thashë unë nuk është vetëm ana e tatimeve apo lloji i tatimeve por ajo që vjen pas pasi PD deri tani e ka prezantuar në linja të përgjithshme që do të rishikojnë paketat e mbështetjes. PD ka ekspertë ka kohë që të thotë që si sot një vit jo do jap çeqe por do të ofroj mbështetje me kredi të butë me paratë e qeverisë dhe jo garanci sovrane”.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe eksperti Azmi Stringa i cili thotë  se opozita propagandon hedhjen e lekëve por në të njëjtën kohë nuk ka një sqarim se ku do gjenden këto para. Stringa sugjeron se duhet një platformë më e detajuar e cila në thelb të ketë luftën ndaj informalitetit.

Pa adresuar problemet strukturale e kemi të vështirë për të pasur paketa  të mëdha efektive sepse ti mund të hedhësh lekë por mekanizmat  e transmetimit si informaliteti nuk e lejojnë të shkojnë ku duhet.  Cila është fatura dhe ku do i gjeni këto para? Cfarë do bëni për reformat strukturale të cilat nuk do funksionojnë për shkak të informalitetit kjo nuk e lejon të shkojë në duar e njerëzve që duhet”.

Ekspertët shprehen  pesimistë edhe në lidhje me nismat e qeverisë për lehtësimin e biznesit. Sherefedin Shehu thekson se kjo do të krijoj një gropë në buxhet. “Qeveria është kujtuar shumë vonë për pagën sepse ka 8 vjet dhe nuk kemi të rritjes së pagës reale në krahasim me 2012-2013 punonjësit me të njëjtën pagë blejnë më pak gjëra dhe është kujtuar se do të marrë vota. Përsa i përket TVSH dhe heqjes së Tatim- Fitimit janë aventura politike që do shkatërrojnë sistemin”.

Ndërsa për Azmi Stringën  prezantimi i masave nga qeveria në thelb nuk sjell asgjë pozitive  dhe thjesht do të ndikoj në rritjen e evazionit. “Fragmentarizimi  në bazë të xhiros ndikon negativisht në rritjen e evazionit ose në sjelljet e biznesit në këtë drejtim dhe ky element ka impakt  të ulët në financat publike ose në atë që përfitojnë qytetarët  por prek një masë të gjerë dhe mund të duket atraktiv”. Ekspertët ngrenë alarmin për gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe goditjen që ka marrë për shkak të pandemisë. Vetëm një ditë më parë FMN parashikoi që ekonomia shqiptare do të tkurret me 7,5 % dhe kjo kërkon marrjen e masave të menjëhershme./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!