Simon Kjaer la pas dëmtimin dhe u rikthye si titullar te Milani. Kuqezinjtë fituan 0-2 ndaj Beneventos, duke e nisur me tre pikë vitin 2021. Lideri i prapavijës së kryesuesve italianë, foli për mediat pas fitores së sotme.
Stefano Pioli u shpreh se tre ekipe janë akoma më të forta se Milani i tij, ndërsa danezi mendon ndryshe. “Djalli” vazhdon të kryesojë Serie A pas javës së 15-të dhe Kjaer nuk sheh ekip më të fortë në qarkullim.
“Duhet të vazhdojmë të mendojmë për gjëra të arritur maksimumin. Nuk duhet ta ndalim punën e madhe për asnjë moment, vetëm duke punuar do të përmirësohemi. Zbresim në fushë të bindur në fitimin e ndeshjes.
Nuk shoh skuadër më të fortë se Milani, kemi shumë cilësi dhe kualitet. Objektivi ynë është të vazhdojmë këtë rrugëtim me mendimin dhe dëshirën për t’i fituar të gjitha ndeshjet një nga një“, përfundon 31-vjeçari viking. /abcnews.al

