“Në këto tridhjetë vite tranzicion kemi jetuar në një kaos moral, shoqëror dhe politik, duke mos arritur të formojmë një kulturë të duhur komunikimi. Eshtë në detyrën e klasës politike që të krijojë standarde për një ekonomi të stabilizuar“, tha profesori i ekonomisë, Presidenti i UET-së, Selami Xhepa, i ftuar në emisionin “Refleksione”, në ABC .
Sipas Xhepës, shumë të rinj shqiptarë po emigrojnë sepse zhgënjimi ndaj demokracisë në Shqipëri ka qenë në rritje.
“Të rinjtë nuk mund të presin këtë hap të ngadaltë të politikës sonë lidhur me reformat reale. Klasa politike duhet të kuptojë se demokracia duhet të ketë pjesëmarrje, duhet të hapet, ku grupet e ndryshme shoqërore duhet të kenë hapësira reale që të influencojnë që vendimmarrja politike të jetë në favor të shoqërisë e jo shoqëria në shërbim të politikës“, tha Xhepa, duke vënë theksin në forcimin e kapitalit njerëzor përpara kapitalit financiar.
Ai mori si shembull Spanjën koloniale, e cila edhe pse shumë më e pasur në ar e argjend se sa shumë vende europiane, nuk mundi dot të ishte lokomotivë ekonomike, për shkak se nuk ishte qendra edhe e kapitalit njerëzor, e shkollave të duhura ekonomike.
“Këtu hyn edhe elementi i idesë. Dhe historia ka treguar se ky koncept i ideve shkoi nga Italia, në Holandë e më pas në Angli, ndërkohë që Spanja mbeti pas tyre, pavarësisht pasurisë së madhe që zotëroi nga kolonitë. Rasti më i suksesshëm i ideve me pasurinë është SHBA dhe Kanadaja. Historia ka treguar se janë idetë ato që e kanë zhvilluar botën.
Psh në botën e sotme, në realitetin virtual, është vërtetuar se janë pikërisht idetë pasuria më e madhe. Bezos apo Bill Gejts zotërojnë sot forcën e idesë, forcën e mendjes, duke ndërtuar një ekonomi të fuqishme dhe të re.
Në këtë pikëpamje vlen të theksojmë se zhvillimi i kapitalit njerëzor, mbështetja e kërkimit shkencor, e sipërmarrjeve private në kërkim-zhvillim janë kyçi apo instrumenti i fortë që mund të na ndihmojë nga kapërcimi i ngërthyerjes ku jemi aktualisht.
Në historinë e zhvillimit, janë shumë vende, jo vetëm në botë por edhe në rajon, që e kanë kaluar këtë ngërthim, këtë kurth, të nxitimit vetëm drejt parasë. Ndaj, unë besoj se, në planin e zhvillimit të shoqërisë ne duhet të fokusohemi te kapitali njerëzor dhe në teknologjinë e informacionit“, tha Xhepa në “Refleksione”.
Profesor Xhepa foli gjithashtu edhe për një marrëdhënie që duhet të kemi me paranë, që sipas tij, nuk duhet të jetë as fetish e as diçka për t’u neglizhuar.
“Padyshim, në marrëdhënien mes parasë dhe individit, duhet të pranojmë që paraja zë një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet njerëzore, përveç dy grupeve ekstreme- të varfërve, që shpesh duan të predikojnë virtytin e të qenurit i varfër, dhe nga ana tjetër-super të pasurit, që paraja u kthehet motiv më vete“, theksoi Xhepa, duke nënvizuar gjithashtu se, paraja duhet të mbetet një element i rëndësishëm për zgjerimin e lirisë.
Sipas tij, ata që mund ta konsiderojnë paranë si gjënë më të rëndësishme, rrezikojnë të humbin lirinë, ndërkohë që ata që e shikojnë si instrument, mund të zgjerojnë lirinë e tyre./ Abcnews.al