“Një lojtar i ri, duhet të ketë liri që të zhvillojë kreativitetin e tij… ata duhen shtyrë që të provojnë gjithçka në fushën e lojës, pa pasur frikën e dështimit”. Ky është Arsene Wenger, filozofi i futbollit modern. Sa shumë lojtarë të rinj janë bërë të suksesshëm për meritë të strategut francez, sidomos te skuadra e Arsenal, aty ku kaloi më shumë se dy dekada të suksesshme në timon.
Anija e tij, rrallëherë zhytej dhe Wenger, e kishte gjithmonë një ide, plan, vizion për të fituar. Fabregas, Henry, Wilshere, Van Persie, Nasri, Koscielny, Giroud, Walcott, Chamberlain, Bellerin… Karriera e tyre, mund të ishte shumë ndryshe nëse Wenger nuk do t’ju besonte që në moshë të re.
I ashtuquajtur “Profesori”, Wenger është trajneri më me shumë ndeshje në Premier League, duke lënë pas edhe legjendarin Sir Alex Ferguson. I vetmi trajner që ka fituar kampionatin pa asnjë humbje, që as ekipe si Manchester United apo Liverpool nuk e kanë bërë. Madje as Manchester City i milionave dhe i Pep Guardiolës.
Në verën e vitit 2018, Wenger i dha fund aventurës në krye të Arsenalit, duke i dhënë fund njëkohësisht dhe një epoke të suksesshme. Tani, Wenger është kreu i Zhvillimeve në FIFA, një rol shumë i rëndësishëm. Edhe pse 70 vjeç, Wenger është në formë të shkëlqyer, po punon intensivisht dhe po merr një vëmendje shumë të madhe me formën e tij fizike. Gjithmonë një i ri me shpirt… Njeri i madh, trajner i madh, filozof dhe një ikonë e futbollit!./abcnews.al