Produktet ushqimore me rritjen më të lartë të çmimeve në prill

schedule07:36 - 10 Maj, 2023

schedule 07:36 - 10 Maj, 2023

Ndonëse rritja e çmimeve në muajin prill u ngadalësua sërish, disa prej ushqimeve bazë kanë vijuar shtrenjtimin me ritme të shpejta.

Të dhënat e detajuara të INSTAT bënë të ditur se “qumështi, djathi, veza”, “peshku”, “mishi” dhe “patatja” kanë vijuar rritjen me ritme dyshifrore.

Bulmeti është brë pothuajse i papërballuashëm për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare dhe rritja e tij nuk po ndalet.

Në prill, grupi “Qumësht, djathë dhe vezë” u shtrenjtua me 15.5%, pas një zgjerimi prej 17.1% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Operatorët kanë pohuar se kostot e tyre janë rritur për shkak të lëndës së parë, mungesës së fuqisë punëtore që ka ulur nivelin e grumbullimit të qumështit të papërpunuar si dhe politikave fiskale që ulën nivelin e TVSH-së së rimbursuar.

Produktet e qumështit madje janë më të shtrenjta edhe se rajoni, duke bërë që të shtohet konkurrenca nga importi.

Mishi është produkti tjetër bazë që sa vjen e po kushton më shumë në buxhetin familjeve. Në prill, sipas INSTAT, indeksi vjetor i këtij grupi u rrit me 12.3%, nga 7.8% që ishte ndryshimi vjetor në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ashtu si në rastin e qumështit, shtrenjtimi është i lidhur me problemet që po kalon blegtoria në vend, duke nxitur importet.

Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se për muajt e parë të vitit, nga gupet e ushqimeve rritje kanë pësuar vetëm importet që lidhen me produktet nga kafshët, të tilla si bulmeti dhe mishi.

Rritja e importeve në këto produkte po vjen si rrjedhojë e krizës që po kalon blegtoria e vendase ku numri i kafshëve po tkurret me shpejtësi në fermat e vogla si rrjedhojë e pakësimit dhe plakjes së popullsisë në zonat rurale.

Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me ritmet shumë të larta vitin e fundit. https://www.monitor.al/ngerci-i-konsumit-te-gjitha-importet-e-ushqimeve-me-renie-ne-3-mujor-pervec-mishit-dhe-bulmetit/

Nëse doni të blini peshk, duhet të mendoheni mirë. Çmimet e tij janë rritur me 13.5% në prill, nga 3.6% që ishte ndryshimi vjetor në prill 2022. Më shumë kushton dhe patatja (+10.7) dhe frutat (+7.7%).

Në prill, inflacioni zbriti në 4.6%, niveli më i ulët në më shumë se një vit.

Treguesi u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve në naftës, me grupin “Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit”, që ra me 13.8%, pasi ishte rritur me 30.2% në prill 2022, kur sapo kishte filluar kriza si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në të njëjtën linjë edhe vaji, që me fillimin e luftës u shtrenjtua ndjeshëm, në prill të këtij viti u rrit me më pak se 1%.

Më i moderuar ishte dhe shtrenjtimi i bukës e drithrave dhe sheqerit./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!