Prodhimi global i kokainës arrin nivele rekord, në Ukrainë bie kërkesa që pas nisjes së luftës

schedule09:50 - 16 Mars, 2023

schedule 09:50 - 16 Mars, 2023

Prodhimi global i kokainës ka arritur nivele rekord me rikthimin e kërkesës pas bllokimeve për Covid, sipas një raporti të ri. Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin tha se kultivimi i bimës për prodhimin e kokainës u rrit me 35% midis 2021 dhe 2022 në nivele rekord, shkruan BBC.

Sipas raportit,  trafikantët po përdornin më shpesh shërbimet postare ndërkombëtare për të dërguar drogën te konsumatorët. Europa dhe Amerika e Veriut janë tregjet më të mëdha për kokainën, e ndjekur nga Amerika e Jugut dhe Qendrore dhe Karaibet.

Sipas raportit, tregjet në Afrikë dhe Azi ishin “ende të kufizuara”, Ghada Waly i OKB-së tha se potenciali që tregu të zgjerohej atje ishte një realitet i rrezikshëm.

Raporti Global mbi kokainën tha se rritja e prodhimit ishte rezultat i një zgjerimi në kultivimin e kokainës, si dhe përmirësime në konvertimin e kokainës në pluhur.

“Të dhënat sugjerojnë se roli i Afrikës, veçanërisht Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, si një zonë tranziti për kokainën në rrugën e saj drejt tregjeve në Europë është rritur ndjeshëm që nga viti 2019.

“Si sasia totale e sekuestruar në Afrikë dhe numri i konfiskimeve të mëdha duket se kanë arritur nivele rekord gjatë vitit 2021”, theksohet në raport.

Raporti thotë se shpërthimi i Covid-19 pati një efekt negativ në tregjet e drogës pas kufizimeve të udhëtimeve ndërkombëtare. Kërkesa për kokainë ra pasi klubet e natës dhe baret u mbyllën gjatë bllokimeve për shkak të pandemisë.

“Megjithatë, të dhënat më të fundit sugjerojnë se kjo rënie ka pasur pak ndikim në tendencat afatgjata,” thotë raporti. “Furnizimi global i kokainës është në nivele rekord”.

Gjetje të tjera kryesore përfshijnë:

-Kolumbia ende dominon rrugët e trafikimit, megjithëse shtigjet për në Europë kanë evoluar

-Konsumi në Australi arriti kulmin në mesin e vitit 2020, ra me 50% vitin e ardhshëm dhe u rrit “mesatarisht” në muajt e fundit të 2021

-Grupet kriminale meksikane dhe ballkanike janë afruar më pranë qendrës së prodhimit për të fituar akses në furnizime

-Përdorimi i kokainës është në trend rritës në disa vende të Europës Perëndimore, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Belgjikën, Francën dhe Spanjën.

-Në Ukrainë, tregu ishte zgjeruar, por që nga pushtimi i Rusisë shkurtin e kaluar kërkesa është ndërprerë në mënyrë drastike.

/abcnews.al