Në kuadër të procesit të licencimit të klubeve, duke u mbështetur edhe në kërkesat e UEFA-s, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në FSHF ka nisur tashmë takimet dypalëshe me të gjitha klubet aplikante që kërkojnë të marrin një licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për sezonin e ardhshëm 2022-23.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me përfaqësuesit e Departamentit të Licencimit kanë zhvilluar edhe takimet e para me drejtuesit e klubeve të Teutës dhe Vllaznisë, ku është diskutuar në lidhje me kriteret që duhen përmbushur dhe problematikat me të cilat duhet punuar për të përmbushur të gjitha kushtet.
Gjithashtu, takimet e Presidnetit Duka dhe drejtuesve të Departamentit të Licencimit kanë vijuar më pas edhe me drejtuesit e klubeve të Skënderbeut dhe të Kukësit, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të ketë takime me të gjithë përfaqësuesit e klubeve që synojnë të pajisen me licencë.
Klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.
Kriteret që duhet të plotësohen janë kriterin sportiv, ai i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me i rëndësishëm në raport me kriteret e tjera.
Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë. Ky proces do të përmbyllet më 31 mars 2022, sipas afateve të vendosura nga FSHF dhe UEFA.
Duke parë rëndësinë e madhe që ka ky proces, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar në javët e fundit edhe workshop-e me të gjitha klubet, ku i është bërë e qartë mënyra dhe procedura se si duhet të plotësohet dokumentacioni për të përfituar në përfundim të procesit licenca. /f.a/abcnews.al