Procesi i Berlinit, Gjermania: Do angazhohemi që Kosovës t’i hiqen vizat së shpejti

schedule18:47 - 29 Qershor, 2021

schedule 18:47 - 29 Qershor, 2021

Javën tjetër do të mbahet Samiti i Berlinit. Në Ministrinë e Jashtme gjermane kanë shpresa të mëdha nga ky takim, prej të cilit pritet të ecet përpara me projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Veç kësaj, janë katër marrëveshje specifike që pritet të nënshkruhen në këtë samit, thotë në një intervistë Sabinne Schuetz, drejtoreshë e Departamentit për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet EFTA në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Por katër marrëveshjet – për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, hapësirën e njësuar të udhëtimit për nënshtetasit e vendeve të treta, si dhe njohjen e diplomave profesionale dhe akademike – znj. Schuetz thotë se duhet të nënshkruhen nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Ose nënshkruajnë të gjithë, ose i vazhdojmë bisedimet“, tha ajo, duke theksuar se në Procesin e Berlinit të gjashtë shtetet janë të barabarta. Për më tepër, znj. Schuetz thotë se pjesëmarrja e Kosovës, si e barabartë, në Procesin e Berlinit, ku është edhe Serbia, ka efekte pozitive edhe në procesin e dialogut të Brukselit.

Më 5 korrik, nëse nuk gabohem, do të mbahet takimi i radhës i Samitit të Berlinit, kësaj radhe online për shkak të situatës pandemike. Çfarë prisni nga ky takim dhe nga Procesi i Berlinit në përgjithësi?
Procesi i Berlinit në përgjithësi i ka përmbushur plotësisht pritjet tona që nga viti 2014. Ai ka bërë bashkë qeveri, organizata dhe akterë të shoqërisë civile, të cilët së bashku po angazhohen për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Kështu është krijuar një dinamikë shumë pozitive, e cila ndër vite ka sjellë progres tejet të rëndësishëm në fushat kryesore të Procesit të Berlinit: zhvillimi i infrastrukturës, ndërlidhshmëria, ekonomia dhe digjitalizimi, shkëmbimi rajonal i të rinjve, shkenca dhe rrjetëzimi i shoqërive civile. Rezultate qenësore, ndër të tjera, janë Qendra e të Rinjve për Bashkëpunim Rajonal – RYCO, Marrëveshja Roaming, e cila hyn në fuqi plotësisht nga 1 korriku, Komuniteti i Transportit me BE-në dhe lidhje të shumta rrugore, hekurudhore dhe energjetike. Thënë shkurt, bashkëpunimi në rajon ka marrë një dimension tjetër.

Shprehje e këtij vullneti të bashkëpunimit është Tregu i Përbashkët Rajonal. Ky projekt historik, të cilin e kanë themeluar qeveritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e kaluar në Sofie, është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Gjatë Samitit të sivjetmë në Berlin ne duam të mbështetemi në këtë dhe të çojmë përpara zbatimin e planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, sepse rajoni dhe qytetarët e tij nuk kanë kohë për të humbur.

Kemi raportuar tashmë se në Samitin e Berlinit janë së paku katër marrëveshje që do të mund të nënshkruhen nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Keni besim se në Samitin e Berlinit do të nënshkruhen këto nga të gjashtë shtetet?
Katër marrëveshjet tejet të rëndësishme për të cilat bëhet fjalë janë: liria e lëvizjes me letërnjoftime, hapësira e njësuar e udhëtimit për nënshtetasit e vendeve të treta, si dhe njohja e diplomave profesionale dhe akademike. Janë, para së gjithash, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal dhe Sekretariati i CEFTA-s ata të cilët janë angazhuar në masë të madhe që nga Samiti i vitit të kaluar për t’i koordinuar këto dhe marrëveshje të tjera.

Mirëpo nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve shumë të rëndësishme për rajonin varet në mënyrë vendimtare nga gatishmëria e qeverive për të diskutuar në mënyrë konstruktive rreth çështjeve objektive në interes të qytetareve dhe për të qenë të gatshme për kompromise në mënyrë pragmatike. Thelbin e Procesit të Berlinit e përbën koncentrimi për të zgjidhur probleme tërësisht praktike dhe përpjekja për të lënë anash politikën. Kjo ndër vite është treguar shumë e suksesshme. Këtu të gjithë e kanë të qartë që nuk relativizohet rëndësia e çështjeve të hapura politike. Mirëpo nënkupton që po kërkojmë rrugë konstruktive për të shmangur bllokada, gjithmonë duke pasur në mend që rezultatet e Procesit të Berlinit qytetarëve në Ballkanin Perëndimor u sjellin dobi të vërteta në jetën e përditshme.

Por një gjë duhet të jetë e qartë: Ose nënshkruajnë të gjithë, ose i vazhdojmë bisedimet. Procesi i Berlinit jeton nga inkluziviteti. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të barabarta dhe nëse një shtet nuk u bashkohet përpjekjeve, atëherë na duhet të shikojmë që t’i sqarojmë të gjitha rezervat për t’i sjellë të gjithë në Bord.

Sa besoni se Procesi i Berlinit ndihmon proceset e tjera në rajon, para së gjithash dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe procesin e integrimeve evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor?
Bashkëpunimi i përmirësuar rajonal në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian e përshpejton integrimin e rajonit në BE. Shembull konkret është plani i veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Ai në Ballkanin Perëndimor i prezanton katër liritë themelore, të cilat vlejnë edhe për BE-në. Kjo nga njëra anë do ta bëjë rajonin shumë tërheqës për investime të BE-së, e nga ana tjetër do të çojë në një harmonizim të ligjeve, që në rrugë drejt BE-së do të duhej të ndodhte gjithsesi. Njëkohësisht qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dëshmojnë që janë të afta për të gjetur kompromise dhe për të zgjidhur bllokada brenda raundeve të bisedimeve multilaterale. Për anëtarësimin në BE edhe ky është një parakusht i pashmangshëm.

Procesi i Berlinit deri tani po ashtu ka siguruar përmirësimin e dukshëm të rrjetëzimit në mes të gjashtë qeverive, por edhe në mes të gjashtë vendeve. Kjo tingëllon abstrakte, por bashkëpunimi rajonal varet nga këto lidhje. Njerëzit në ministri të ndryshme duhet të dinë me kë nga pala tjetër iu duhet të flasin për çështje të caktuara. Nëpërmjet Procesit të Berlinit kjo tashmë nuk është aspak problem.

Kosova në Procesin e Berlinit është e ulur në tavolinë si partner i barabartë dhe bisedon, ndër të tjera, me Serbinë. Unë jam e sigurt që kjo në vitet e fundit ka pasur efekte pozitive në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo, për shkak se vendimtare për të gjitha bisedimet është krijimi i besimit dhe i një atmosfere konstruktive.

Dhe, për fund, cili është përfitimi që shihni ju për qytetarët e Kosovës nga Procesi i Berlinit?
Pikërisht qytetarët në Kosovë përfitojnë nga Procesi i Berlinit, sepse Kosova në këtë format është e barabartë. Përparësi konkrete për qytetarët është p.sh. Marrëveshja Rajonale Roaming, e cila do të jetë në fuqi nga 1 korriku, ashtu që brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor do të hiqen tarifat roaming. Të rinjtë në Kosovë tashmë prej vitesh përfitojnë nga projektet e larmishme dhe ngjarjet për shkëmbim të Qendrës së të Rinjve për Bashkëpunim Rajonal. RYCO me mbështetje të Qeverisë gjermane së shpejti do t’i përkushtohet edhe çështjes së shkëmbimit mes shkollave.

Qytetarët mund të përfitojnë në veçanti nga marrëveshjet, për të cilat po zhvillohen bisedime aktualisht. Udhëtimi i lirshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor me letërnjoftime i prek më së shumti qytetarët në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinës, në të cilat shtete aktualisht ekziston detyrimi për viza. Do të ishte një progres i jashtëzakonshëm, nëse kosovarët brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mund të udhëtonin lirshëm për vizita private dhe afariste. Edhe marrëveshjet për njohjen e diplomave profesionale dhe akademike veçanërisht të rinjve u ofrojnë mundësi për të konkurruar më lehtë për vende pune në mbarë rajonin.

Nëse arrihet të zbatohet plani i veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, atëherë qytetarët e mbarë rajonit do të mund t’i gëzojnë të njëjtat liri themelore sikurse qytetarët në BE. Shkëmbimi i mallrave, kapitalit, njerëzve dhe i shërbimeve do të jetë dukshëm më i thjeshtë. Qytetarët do të mund të studiojnë, punojnë, apo të bëjnë pushime ku të duan në Ballkanin Perëndimor.

E di që shumë kosovarë tani do të pyesnin “E si qëndron puna me BE-në, a mund të udhëtojmë drejt BE-së pa viza?”. Po punojmë edhe në këtë. Gjermania angazhohet që edhe Kosova së shpejti ta marrë liberalizimin e vizave. Mirëpo mendoj se është njësoj e rëndësishme që qytetaret dhe qytetarët në Kosovë dhe në gjithë rajonin të kenë mundësi të jetojnë jetën e tyre pa kufij dhe kufizime. Dhe këtë mund ta sjellë Procesi i Berlinit./ KOHA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!