Problemi në rritje i ekstremizmit në Gjermani

schedule20:37 - 20 Maj, 2021

schedule 20:37 - 20 Maj, 2021

Nga Katja Hoyer, The Spectator

Më 2 qershor 2019, një politikan gjerman u gjet i shtrirë mbi një pellg gjaku jashtë shtëpisë së tij në Hesen. Ai ishte qëlluar në kokë nga një distancë e afërt me një pistoletë tip “38 Rossi”. Walter Lübcke, udhëheqësi 65-vjeçar i këshillit të qytetit Kasel, që kishte qenë një mbështetës i zëshëm i politikës pro-emigracionit të Gjermanisë, ishte vrarë nga një anëtar gjerman i grupit britanik neo-nazist “Combat 18”.

Këtë të martë, vrasësi i tij u dënua me burgim të përjetshëm. Vrasja e Lübcke, është shembulli më ekstrem i marrëdhënies gjithnjë e më alarmante të Gjermanisë me emigracionin, antisemitizmin dhe fanatizmin politik.

Vitin e kaluar Armin Laschet, kandidati për kancelar për partinë CDU ku bënte pjesë edhe Lübcke, i bëri një kritikë të tërthortë shefes së tij tanimë në ikje, Angela Merkel, duke thënë:”Kur një qeveri e humbet kontrollin mbi fluksin e njerëzve që hyjnë në vend, nuk duhet të habitemi nëse njerëzit e humbin besimin tek ajo”.

Të hënën ai u tall me “antisemitizmin e emigrantëve”, ndërsa hebrenjtë e Gjermanisë po vuajnë pasojat e një armiqësie në rritje të agjitatorëve të zemëruar pro-palestinezë. Laschet ka deri diku të drejtë. Anti-semitizmi midis emigrantëve vërtet është një problem.

Por marrëdhënia e Gjermanisë me urrejtjen ndaj hebrenjve, është shumë më e ndërlikuar sesa kaq. Përgjegjësia e plotë e vendit ndaj Holokaustin, ka filluar që të shkaktojë pakënaqësi, madje edhe midis votuesve të moderuar. Ajo që po quhet si “ekstremizmi i qendrës”, ekziston si një tendencë gjithnjë e në rritje tek shumë gjermanë, që po kërkojnë një ndarje përfundimtare me fajin e tyre kolektiv historik.

Rezultati është një perceptim i përhapur, se një lloj antisemitizmi që filloi nga e djathta ekstreme, po depërton tanimë në qendër. Krimet anti-semite janë vërtet në rritje. Prirja rritëse ka qenë e qëndrueshme që nga viti 2014, me një numër rekord prej 2.351 rastesh të raportuara vetëm vitin e kaluar.

Por kush i kryen këto krime? RIAS, qendra kërkimore për antisemitizmin në Gjermani, ka identifikuar 3 grupe me një prirje të lartë për të krye krime të natyrës anti-semite:krahu i djathtë, të majtët radikalë dhe fondamentalistët islamikë. Nga ana tjetër, policia thotë se grupet e krahut të djathtë janë më aktivë në këtë aspekt.

Vetë RIAS thotë se antisemitizmi i lidhur me Izraelin, është rritur kryesisht vitet e fundit, gjë që sugjeron se fajtorë mund të jenë kryesisht anti-sionistët e krahut të majtë. Por 82 për qind e hebrenjve të viktimizuar, përmendën fondamentalizmin islamik, si përgjegjës për krimet e kryera kundër tyre.

Perceptimi i publikut, është formësuar nga një ankth i madh i tyre mbi ekstremizmin e ekstremit të djathtë, i cili nga ana tjetër është ushqyer nga një varg skandalesh me celulat neo-naziste, që janë zbuluar brenda ushtrisë gjermane, Bundeswehr.

Rasti më i fundit përfshiu një grup prej 3 ushtarësh, që shkëmbenin imazhe të Adolf Hitlerit në grupin e krijuar prej tyre në WhatsApp. Një nga tre ushtarët, kishte grumbulluar një sasi armësh (kryesisht që Luftës së Dytë Botërore), ndërsa të dashurës së tij iu gjet në çantën e saj sportive një ese me titull “Si mund të merret pushteti në Gjermani”.

Vitin e kaluar, një nga njësitë më elitare ushtarake gjermane, u shpërbë nga frika e numrit në rritje të ekstremistëve në radhët e saj. Policia gjeti 2 kg eksplozivë të fshehur në kopshtin e shtëpisë të një komandoje, së bashku me një disa libra që i përkasin literaturës së ekstremit të djathtë.

Politikanët gjermanë nga të gjitha partitë tradicionale, ndihen nën presion për të reaguar ndaj kërcënimit nga e djathta ekstreme. Kohët e fundit, parlamenti gjerman miratoi të ashtuquajturin “Ligji për Luftën kundër Ekstremizmit të Krahut të Djathtë dhe Krimeve të Urrejtjes”.

I krijuar me synim kundërvënien ndaj aktivitetit anti-kushtetues dhe monitorimit të propaganduesve të ideologjisë së rrezikshme të ekstremit të djathtë, ligji lejon dhënien e dënimeve më të ashpra për shkelësit, por edhe përdorimin e përkufizimeve më të gjera, për të përfshirë sa më shumë nga këta përfaqësues.

Por me kaq mbaron. Nuk përmenden kërcënimet e të majtës radikale apo ato islamike xhihadiste. Ai është më shumë një reflektim i perceptimit të politikanëve, sesa një përgjigje e duhur për problemin kompleks të ekstremizmit në Gjermani.

Vrasja e Lübcke e ka vendosur qeverinë gjermane nën presion, për të bërë më shumë për të mbrojtur demokracinë në vend. Një projektligj i ri po debatohet në Bundestag. Nëse miratohet, ai do të japë 1 miliard euro fonde në nismat pro-demokracisë, nga tani deri në vitin 2024.

Por pati jo pak debate, kur u kuptua se pa ndryshime të mëtejshme, grupe militante të tilla si Antifa në SHBA, do të ishin qenë në gjendje të aplikonin për subvencionet shtetërore për koktejet e tyre Molotov. E tillë është verbëria e Bundestagut ndaj formave të tjera të ekstremizmit.

Ndërkohë krimet e kryera nga ekstremistët e majtë, janë një “kërcënim i nënvlerësuar” sipas Tagesschau, programi kryesor televiziv politik në Gjermani. Incidentet janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2001, dhe aktet e dhunës tani janë rreth 1.702, gati në një nivel me 1.698 aktet ekstremiste të kryera nga e djathta.

Edhe përqindja e dëmtimeve trupore të shkaktuar nga aktivistët e majtë, është rritur gjithashtu nga 28 për qind në 54 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Megjithatë, nuk ka asnjë ligj të propozuar për të adresuar ekstremizmin dhe dhunën e krahut të majtë. Thjesht ajo nuk merret seriozisht.

Studimet e fundit, kanë sugjeruar gjithashtu se gati gjysma e emigrantëve, kanë qëndrime të cilat konsiderohen fondamentaliste (të tilla si homofobia dhe antisemitizmi). Ndërsa Gjermania ka popullsinë më të madhe të lindur në një vend të huaj, në krahasim me çdo vend tjetër Evropë, 13 milion, ajo paraqet një rrezik të konsiderueshëm.

Ndërsa ka pasur një debat në mbarë vendin rreth integrimit të emigrantëve, politikanët ngurrojnë që të formulojnë ligje specifike për t’u marrë me këtë çështje. Gjermania ka qartazi një problem me ekstremin e djathtë. Por ka gjithashtu prova të një ekstremizmi në rritje të ekstremit të majtë dhe atij islamik.

Dhe ndërsa Laschet mund të ketë qenë duke flirtuar me më shumë retorikë skeptike mbi emigracionin, ai së shpejti do të sillet në përputhje me qasjen më të gjerë të CDU, të krijuar nga Merkel gjatë krizës së emigrantëve së vitit 2015. Votuesit e qendrës së djathtë, do të lihen të ndjehen sërish të kundërshtim me establishmentin e politikës gjermane. Rezultati do të jetë dëshpërimi dhe zgjerimi i skajeve ekstremiste të së djathtës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Katja Hoyer, është një historiane anglo-gjermane. Libri i saj i fundit titullohet “Gjaku dhe hekuri:Shkëlqimi dhe rënia e Perandorisë Gjermane 1871-1918”.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!