Marc-Andre Ter Stegen u rikthye te eliminimet e dy viteve të fundit në Champions League. Barcelona u ndal nga Roma dhe Liverpooli në dy gjysmëfinalet e fundit. Messi me shokë kishin fituar thellë ndeshjet e para, por u përmbysën në kthim.
Portieri gjerman theksoi se këto dy disfata të dhimbshme nuk kishin lidhje me pjesën taktike, por atë psikologjike të ekipit. “Si mund t’ia shpjegoj prindërve dhe gruas time eliminimin pasi kishim fituar 3-0 ndeshjen e parë me Liverpoolin?“, komentonte Ter Stegen.
Në lidhje me këtë çështje ka ardhur edhe reagimi i Ernesto Valverdes. Trajneri i Barcelonës, që sonte pret Valladolidin në “Camp Nou”, del kundër lojtarit të tij dhe pretendon që kritikat nuk duhet të dalin jashtë dhomave të zhveshjes.
“Sa i përket asaj që ka thënë Marc-Andre Ter Stegen, di të them që ndeshjet mund të shihen nga këndvështrime të ndryshme. Duhet t’i zgjidhim problemet brenda shtëpisë tonë dhe mos t’ua nxjerrim në pah të tjerëve“, thekson Ernesto Valverde. /abcnews.al