Historike: Disiplina i habit të gjithë, pezullon tre lojtarë të Superiores prej miqësoreve

schedule18:59 - 31 Tetor, 2020

schedule 18:59 - 31 Tetor, 2020

Sezoni i ri i futbollit në Shqipëri nuk ka filluar akoma, teksa janë luajtur shumë ndeshje miqësore këtë periudhë. Tensioni, veprimet e gabuara dhe ndëshkimet me kartonë të kuq nuk kanë munguar.

Referuar edhe Kodit të Disiplinës, konkretisht Nenit 68/1, komisionet disiplinore të FSHF-së kanë të drejtën të procedojnë çdo shkelje edhe në ndeshjet miqësore që organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.

 

Neni 68/1, që lejon Disiplinën të marrë vendime edhe për miqësoret

Diçka e tillë ka detyruar Komisionin e Disiplinës të mblidhet dhe të marrë tre vendime, duke dënuar me 5 ndeshje Qudus Lawal, sulmuesin nigerian të Bylis. Ajo që e pëson më shumë është Tirana, që pak ditë më parë humbi 0-1 miqësoren e luajtur në “Selman Stërmasi” ndaj Laçit të Cungut.

Argjentinasi Torassa u ndëshkua me të kuqe dhe ofendoi arbitrin kryesor, teksa kapiteni Idriz Batha pështyu brazilianin Ramos të bardhezinjve. Në vendimin e zbardhur të Disiplinës thuhet se mesfushori dënohet për sjellje antisportive ndaj zyrtarit të ndeshjes.

Dy titullarët e kampionëve në fuqi duhet të presin akoma për të zhvilluar ndeshjet e para zyrtare të sezonit të ri, pasi janë dënuar me nga 4 ndeshje pezullim.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës

  1. Lojtari i KF Bylis, Qudus Abiodun Lawal, për goditje me shkelm ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
  2. Lojtari i KF Tirana, Agustin Gonzalo Torassa, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
  3. Lojtari i KF Tirana, Idriz Batha, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/1/a të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!