Problemet me stomakun dhe zorrën e trashë, specialistët në spitalin Hygeia: Mos i neglizhoni!

schedule18:15 - 13 Gusht, 2020

schedule 18:15 - 13 Gusht, 2020

Departamenti i Gastroenterologjisë në Spitalin Hygeia i specializuar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të traktit gastrointensinal tretës, vijon punën me përkushtim pavarësisht kushteve të pandemisë.

Mjeku specialist në Spitalin “Hygeia”, dr. Plarent Kapo shprehet se pacientët duhet t’i kushtojnë rëndësi vizitave rutinë apo të kontrollojnë patologjitë e ndryshme të stomakut dhe zorrës së trashë.

“Është e vërtetë që gjatë gjithë kohës së pandemisë ka pasur një stepje për kontrolle për vetë faktin e virusit që është në qarkullim. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që kur kanë probleme me stomakun ose zorrën duhet të paraqiten patjetër te mjeku”, shprehet Plarent Kapo.

Doktor Kapo shprehet se pacientët nuk duhet të ngatërrojnë simptomat e pandemisë me patologjitë e tjera, ndaj janë të rëndësishme ekzaminimet tek mjeku specialist

“Patologjitë stinore ose vetë simptomat që jep Covid, që një nga to është edhe diarreja mund të ngatërrohen me zorrën. Sidomos kanceri i zorrës një nga simptomat është diarreja, por edhe te Covid është kjo simptomë dhe mund të mos diagnostikohen dhe gjërat agravojnë më pas. E mira është që pacientët duhet të jenë të informuar”, thekson mjeku.

Spitali Hygeia vijon punën duke zbatuar me përpikmëri protokollin e sigurisë, për të mbrojtur si pacientët, por edhe stafin mjekësor nga Covid-19

“I gjithë personeli është i angazhuar dhe i informuar që të marrë masat, që nga mbajtja e maskës, ruajtja e distancës me pacientët. Ne gjatë ekzaminimit kemi veshjet speciale”, thotë mjeku Kapo.

Departamenti i Gastroenterologjisë në Spitalin Hygeia është i pajisur me aparatura të teknologjisë mjekësore të fjalës së fundit të cilat krijojnë lehtësira dhe saktësi gjatë ekzaminimeve endoskopike si për pacientin ashtu edhe për stafin mjekësor, duke mundësuar ofrimin e një shërbimi sa më optimal. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!