Mauricio Sarri dhe Cristiano Ronaldo nuk kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrit, sidomos kohët e fundit, kur ylli portugez është zëvendësuar dy herë nga strategu italian.
Sarri vazhdon të thotë publikisht se nuk ka asnjë problem me Cristiano Ronaldon, por “krisja” mes dy palëve është e dukshme.
Si pasojë, Sarri po tenton të rregullojë raportet me yllin portugez dhe për t’ia arritur qëllimit, është gati të “kopjojë” Zinedine Zidane.
Sipas Gazzetta Dello Sport, ka pasur një takim mes Sarrit dhe Ronaldos, aty ku trajneri italian i ka treguar planin e tij. Sipas Sarrit, Ronaldo duhet të pushojë në disa ndeshje më pak të rëndësishme, në mënyrë që të japë maksimumin në ndeshje të mëdha.
Këtë gjë e ka bërë dhe Zidane me Ronaldon, por që ylli portugez të zëvendësohet kundër Milanit kur ndeshja është 0-0, ngre disa hije dyshimi mbi Sarrin./abcnews.al