Pallati 10 katësh “djeg” Fatmira Hajdarin, KPK shkarkon gjyqtaren

schedule10:04 - 18 Qershor, 2020

schedule 10:04 - 18 Qershor, 2020

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Fatmira Hajdari me argumentin se ajo nuk justifikonte dot pasurinë.

Problem për Fatmira Hajdarin u bë një pallat dhjetë katësh, e ndërtuar në një tokë që nuk ishte e saja. Po ashtu, janë gjetur probleme edhe me mënyrën se si u financua ndërtimi i kësaj godine.

Gjatë daljes nga salla, avokati i Fatmira Hajdarit, Maks Haxhia paralajmëroi apelimimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Vendimi nuk ishte aspak i drejtë, ju e patë vetë. Nuk morën parasysh asnjë kërkesë. Do ta ankimojmë, ishte një vendim i paligjshëm, pasuria është plotësisht i justifikueshëm”, tha Haxhia.

Pallati ishte edhe fokusi rreth të cilit u vërtit pjesa më e madhe vlerësimit të Fatmira Hajdarit.

Lexo edhe: FOTO/ Fatmira Hajdari del e përlotur nga KPK, largohet me syze dhe në dosje në duar

Relatorja Etleda Çiftja vuri në dukje gjatë seancës dëgjimore një sërë elementësh që ishin gjetur, përfshirë disa mosdeklarime, ndërtimin e paligjshëm, ndërtimin mbi pronë që nuk ishte e familjes dhe mungesën e burimeve e dokumentacionit justifikues.

Sipas Çiftjas pallati që ishte në zonën e njohur si “Vilat Gjermane” në kryeqytet ishte nisur të ndërtohej në vitin 2012 pa leje. Vetëm me shpenzimet e familjes – rreth 207 mijë euro, ai ishte ngritur pesë kate karabina. Më pas ishte bërë marrëveshje me një person të tretë i cili kishte marrë përsipër të ndërtonte 5 katete e tjera dhe përfundonte pallatin, i cili do të merrte ½ e tij.

Problemi i parë sipas relatores ishte zgjerimi i padeklaruar i tokës në pronësi të familjes. Nga relatimi rezultoi se kjo kishte pasur në fillim një truall rreth 549 metra bashkë me një shtëpi të blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 1993, por që më pas ishte shtuar me 145 metra përmes një vendimi gjykate dhe 150 m2 të tjera përmes legalizimit. Sipërfaqja në total rreth 900 metra ishte përdorur nga i biri i gjyqtares për të nisur ndërtimin e pallatit.

Burime për këtë pasuri ishin pjesërisht (139 mijë euro) nga kontrata e shitjes së aktivitetit lokal në Qytetin Studenti për 168 mijë euro dhe 10 milion lekë nga një ndërtues – dhënë në mirëbesim në formë kleringu (beton) dhe më pas marrëveshja me ndërtuesin për mbarimin e investimit.

KPK vuri në dyshim qoftë të ardhurat nga shitja e lokalit, qoftë marrëveshjen për 10 milion lekë me ndërtuesin, për të cilin Komisioni tha se nuk kishte kontratë dhe as dokumente. Po ashtu u tha se ky i fundit nuk kishte deklaruar asnjë shitje ndaj djalit të Hajdarit dhe se nuk i kishte deklaruar këto para në bilance.

Pas mbrojtjes teknike nga avokatja që përmendi fletë-hyrje për betonin që ishin gjetur dhe faktin se ndërtuesi kishte marrë në shkëmbim një apartament në fund të ndërtimit dhe argumentimin pse të ardhurat nga lokali duhej të konsideroheshin të ligjshme, vetë Hajdari mbrojti veprimin si diçka që ishte nxitur nga koha, nga legjislacioni për ndërtimet pa leje dhe nga të afërm që i kishin sugjeruar ndërtimin.

Ajo pretendoi se i biri në përpjekje për ta ndihmuar i kishte hapur pa dashje telashe, ndërsa tha se gjithçka diskutohej vërtitej rreth tij.  Hajdari tha se djali i kishte premtuar se nuk po bënte “asgjë të paligjshme”.

Por gjykatësja pranoi në fjalën e saj se nuk e kishte deklaruar ndërtimin pa leje dhe shumat e lidhura me të, pasi ky i fundit mund të prishej si ndërtim i paligjshëm.

“Ne nuk e dinim nëse do të arrihej të ndërtohej dhe morëm parasysh rrezikun se mund të prishej”, tha Hajdari.

Ajo pretendoi se edhe ortakët në këtë biznes ishin futur me këto pritshmëri dhe se shpenzimet nëse ndërtimi prishej do u mbeteshin palëve.

Zënies së pronës shtetërore nga ky ndërtim Hajdari iu referua si një e drejtë që kishte lindur prej posedimit për një kohë të gjatë. Duke e lidhur këtë posedim me një rrethim të hershëm të bërë për sigurinë e saj dhe të familjes, ajo tha se kishte pasur gjithmonë bindjen se “prona ishte e imja”.

E pyetur nga komisionerja Firdes Shuli nëse kishte pasur ndonjë akt për posedimin të çfarëdo forme, Hajdari iu referua sërish rrethimit të bërë për të siguruar familjen dhe ndryshimit të relievit në zonë pas ndërhyrjes për rrugë dhe bindjes së tyre se ishin në tokë private. Ajo tha se vetëm kur ishte bërë azhornimi kishin kuptuar se 150 metra ishin tokë shtetërore.

Hajdari pretendoi se nuk kishte bërë “asnjë shkelje”, ndërsa tha se “Falë Zotit gjeta faturat e betonit”. Ajo pretendoi se ndërtuesit që ndihmuan të birin e kishin bërë këtë në emër të kujtimit për babain.

Ndihma financiare për familjen nga të afërm apo dashamirës të deputetit të vrarë në shtator 1998 u përmend edhe nga Haxhia për të justifikuar pasuritë e vëna. Vetë Hajdari tha se posedimi i një apartamenti të blerë me “një kredi VIP-ash” në vitet 2000 ishte bërë si “kortezi” nga kryeministri socialist i kohës. Ky i fundit sipas saj kishte shkuar për ngushëllime dhe kishte parë se shtëpia prej druri në të cilën jetonte familja – e identifikuar nga KPK si vilë, kishte probleme.

Hajdari tha se ajo kishte probleme instalimi të energjisë dhe ishte rrezikuar të digjej. Gjyqtarja tregoi se me premtimin për kredi 2.5 milion lekë nga kryeministri socialist ishte marrë kunati. Kredia në letra ishte përdorur për të blerë një apartament të cilin kunati ia kishte dhuruar asaj, por defakto ishte shfrytëzuar për rinovimin e shtëpisë.

Apartamenti në fjalë ishte shitur për më pak para se sa ishte i deklaruar si vlerë në letra dhe paratë e tij ishin përdorur për të blerë një dyqan në rrugën e Elbasanit. Transaksionet e ngatërruara sipas KPK-së nuk ishin deklaruar plotësisht. Vetë Hajdari dhe mbrojtësit e saj pranuan se 10 mijë USD  të deklaruara si dhurim ishin në fakt para prej qirasë së lokalit, pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Pas konstatimeve të KPK dhe DSIK të cilët kanë raportuar se Hajdari është në papërshtatshmëri, pasi ka mospërputhje me deklarimin  e pasurisë, edhe vëzhguesi i ONM Teo Jacobs, duket se i ka gjetur të pajustifikueshme deklarimet e Hajdarit, madje ai është shprehur se janë pafund pyetjet që janë lënë pa përgjigje në rastin e saj.

“Pse dikush merr kredi në 2007 dhe keni firmos kontratën në  2009 ? Pse e keni marrë kredinë para se të nënshkruani kontratën e qerasë? Pse dy biznesmenë do shpenzojnë 160 mijë euro për një biznes të dështuar, kjo është pyetje pa shpjegim për mua.

Pse këta biznesmen paguaj kontributin e tyre, njëri 130 mijë dhe tjetri 70 mijë, dhe pse është deklaruar si kursime familjare, dhe pse nuk keni paguar taksat për shitjen e biznesit?  Unë mund të vazhdoja pafund me pse-të mia, dhe ka pafund pyetje që janë lënë pa përgjigje”, tha gjatë seancës Jacobs.

Pas vendimit të KPK, ashtu siç paralajmëroi edhe avokati Maks Haxhia, çështja e Hajdarit do të dërgohet në KPA si instanca e fundit që do të vendosë për fatin e saj. /abcnews.al