Presidenti Ilir Meta, mbrëmjen e sotme teksa thotë se u bashkohet lutjeve, i ka uruar shërim të shpejtë Papa Françeskut, i cili pritet që t’i nënshtrohet një operacioni për shkak të problemeve me zorrën e trashë.
Meta shkruan se rikthimi i Atit të Shenjtë në krye të detyrës, është në të mirë të njerëzimit dhe përhapjes së mesazheve hyjnore.
“U bashkohem lutjeve për suksesin e operacionit të planifikuar kirurgjikal të Atit të Shenjtë, me urimin e përzemërt për shërim të shpejtë dhe të plotë, si dhe për rikthimin sa më parë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme në të mirë të njerëzimit dhe përhapjes së mesazheve hyjnore”, shkruan Meta.
Papa Françesku u shtrua në një spital të Romës, pasi kishte probleme me fryrjen e barkut dhe devijimin e zorrës së trashë. /abcnews.al/