Pritet në heshtje raporti i Mueller, Trump thyen “rekordin”

schedule14:56 - 24 Mars, 2019

schedule 14:56 - 24 Mars, 2019

Në Shtetet e Bashkuara po pritet me mjaft interes publikimi i raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Mes tyre është edhe presidenti Donald Trump, i cili ndryshe nga herët e tjera ka zgjedhur të heshtë, duke mos bërë asnjë postim në Tëitter në 24 orë.

Liderët e Kongresit në Shtetet e Bashkuara janë në pritje të publikimit të raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi përfshirjen e përfolur të stafit elektoral të presidentit Donald Trump me Rusinë. Raporti i shumëpritur u pranua të premten nga prokurori i përgjithshëm William Barr, i cili e kaloi ditën e shtunë i mbyllur në zyrën e tij për t’u konsultuar me dokumentin.

Raporti është kulmi i dy vjet hetime të kryera nga zoti Mueller dhe ekipi i tij, por sipas një burimi të Departamentit të Drejtësisë, ai nuk bën thirrje për ngritjen e akuzave të reja ndaj personave të përfshirë. Gjatë hetimit, Mueller dhe bashkëpunëtorët e tij kanë paditur 34 persona, përfshirë 6 ish-bashkëpunëtorë të presidentit Trump, një numër të konsiderueshëm shtetasish rusë, si dhe 3 kompani private.

Sidoqoftë, asnjë nga akuzat nuk lidhej drejtpërdrejtë me dyshimet për mpleksje të stafit të Trump me Moskën, dyshime që janë hedhur gjithmonë poshtë nga kreu i shtetit. Vetë miliarderi i pasurive të patundshme po e pret në heshtje momentin e publikimit të të dhënave.

Në 24 orët e fundit ai nuk ka bërë asnjë postim në Tëitter, një rekord ky duke qenë se mesatarisht presidenti bën deri në 12 postime në ditë. Aktualisht, kreu i shtetit ndodhet në kompleksin e tij në Florida, Mar a Lago, bashkë me përfaqësuesit e tij ligjorë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!