Mund të ketë surpriza, Grenell i prerë: Nuk pres “JO” nga Hoti dhe Vuçiç

schedule15:44 - 4 Shtator, 2020

schedule 15:44 - 4 Shtator, 2020

“Mendoj që nuk ka bisedime, që nuk kanë ndonjë befasi, të cilat janë gjithmonë të mira”, ka thënë Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për “Newsmax”.

“Ato (befasitë) bëjnë presion në të dy palët që të bëjnë më shumë, që të krijojnë më shumë. Pra, po, kemi shfaqur disa befasi, por mendoj që asnjëra palë nuk ishte aq e befasuar . Ndonjëherë shtihen para mediave se kjo është befasi më e madhe se që është. Të dyja palët janë njoftuar dhe mendoj që kemi realizuar përparim dhe shpresoj për zgjidhje”, theksoi Grenell, pas ditës së parë të bisedimeve në Uashington ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Donald Trump, takohet të premten në mëngjes me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një ceremoni nënshkrimi me ta, si edhe në një takim trepalësh, transmeton Zëri i Amerikës.

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet, nëse bëhet fjalë për një marrëveshje, dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiç tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”, tha Grenell duke theksuar se nuk priste “JO” nga liderët e Serbisë dhe Kosovës.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.

“Bisedime shumë të mira këtë pasdite me liderët e Kosovës dhe Serbisë. Ata bënë përparim të vërtetë. Normalizimi ekonomik nënkupton vende pune për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, thuhet në postimin në Twitter të Këshillit për Siguri Kombëtare.

Kryeministri Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar të enjten në Uashington është bërë përparim ekonomik dhe shtoi se të premten pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më 4 shtator në Uashington.

“Dokumenti i parë, të cilin e kishim, mbante titullin ‘Normalizimi ekonomik’. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara na e ndanë dokumentin. Ajo letër për ne nuk ishte fare e lehtë dhe në të ishte pika për njohjen e ndërsjellë, gjë që për ne nuk është risi. Thashë se këtë nuk mund ta pranojmë dhe administrata e Trumpit u tregua e drejtë, e kuptoi që ne nuk mund ta pranojmë”, deklaroi Vuçiç.

Ai falënderoi nikoqirët amerikanë që “ishin të gatshëm t’i dëgjojnë vërejtjet e Serbisë”.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!