Princi Harry, Duka i Sussex-it dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Britanike për më shumë se një dekadë, ka zhvilluar një vizitë të papritur në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Vizita e tij vjen me ftesë të qeverisë ukrainase dhe ka për qëllim mbështetjen e ushtarëve të plagosur rëndë nga lufta tashmë trevjeçare me Rusinë.
Gjatë qëndrimit të tij, Princi Harry u takua me personel ushtarak ukrainas të cilët po marrin trajtim për plagët e marra në front. Ai gjithashtu vizitoi qendra rehabilitimi ku po trajtohen të plagosurit e konfliktit dhe theksoi rëndësinë e kujdesit afatgjatë për veteranët e luftës.
“Si ish-ushtar, e di sa rëndësi ka që ata që kanë shërbyer në luftë të mos ndihen të harruar,” tha Princi Harry gjatë një deklarate për mediat lokale.
Vizita e Dukës përkon me zhvillime të tjera të rëndësishme diplomatike. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, pritet të mbërrijë në Kiev të premten, në vizitën e saj të parë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së detyrës javën e kaluar.
Ndërkohë, Britania ka shpallur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, që përfshin ndalimin e anijeve që transportojnë naftë ruse si dhe kompani dhe individë që furnizojnë me elektronikë, kimikate dhe eksplozivë për ndërtimin e armëve ruse.
Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Rusia dhe aleatja e saj e ngushtë, Bjellorusia, kanë nisur stërvitjen ushtarake të përbashkët “Zapad-2025”, pranë kufijve të NATO-s. Stërvitjet përfshijnë operacione në tokë dhe në det në detin Baltik dhe atë të Barencit. Kjo vjen vetëm dy ditë pasi Polonia, me mbështetjen e aleatëve të saj të NATO-s, rrëzoi drone të dyshuara ruse mbi hapësirën e saj ajrore. / abcnews.al /

