Princ Harry mbërrin në Angli për varrimin e gjyshit, karantinohet në pallatin Kensington

schedule10:32 - 12 Prill, 2021

schedule 10:32 - 12 Prill, 2021

Princi Harry tashmë është kthyer në atdheun e tij për të marrë pjesë në varrimin e gjyshit, Princit Philip , të shtunën më 17 prill. Ai do të jetë kështu pranë babait dhe vëllait të tij pas një kohe të gjatë larg tyre.

Ribashkimi i familjes me rastin e varrimit të Dukës së Edinburgut komentohet gjerësisht sot nga shtypi britanik, duke vënë në dukje se dy vëllezërit, Princi Harry dhe Princi William do të qëndrojnë pas arkivolit të gjyshit të tyre për ta përcjellë për në banesën e fundit.

Sipas mediave britanike, fluturimi i British Airways nga Los Angeles, i cili transportonte Dukën e Sussex, u ul në Aeroportin Heathrow të Londrës dje, përcjell abcnews.al.

Teksa mbante një maskë të zezë, gazeta “Sun” shkruan se Princi Harry u prit në aeroport nga policia me një “Range Rover” të zi.

Duka i Sussex do të karantinohet në Nottingham Cottage në Pallatin Kensington, sipas Daily Mail.

Burimet thonë se nipi i Princit Philip, i cili kohët e fundit shkaktoi tensione të mëdha në familjen mbretërore, do të dalë nga izolimi nëse testi Covid del negativ pas pesë ditësh.

Të shtunën, Buckingham konfirmoi se Princi Harry do të kthehej në Britani nga Shtetet e Bashkuara, ku banon me gruan e tij shtatzënë, Megan Markle dhe djalin e tyre, Archie.

Dukesha e Sussex nuk udhëtoi me të, pasi mjeku i saj nuk e lejoi. Sipas faqes zyrtare të qeverisë së Londrës, ata që mbërrijnë në Britani nga vendet e huaja duhet të izolohen për 10 ditë.

Megjithatë, para se të largohej nga SHBA dhe të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar, Harry u testua për Covid. Për më tepër, udhëtarëve u lejohet të dalin nga karantina pas pesë ditësh, nëse testi i tyre është negativ në rast se duan të marrin pjesë në varrimin e një të afërmi,  një kategori që përfshin Princin Harry.

Vetëm pjesëmarrja në varrim është e lejuar dhe Princi Harry nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në ngjarje të tjera përkujtimore që mund të mbahen.

Kjo do të jetë hera e parë që Princi Harry do të ketë kontakte me familjen e tij pas intervistë që ai dha me gruan e tij për Oprah Winfrey. Princi Harry për herë të fundit e pa gjyshin e tij më 8 maj 2019, kur u fotografua me të, sipas gazetës britanike ” The Sun “. g.v/abcnews.al