Prezantohet studimi për përhapjen e teorive konspirative në media dhe edukimin për median dhe informacionin

schedule12:09 - 12 Nëntor, 2021

schedule 12:09 - 12 Nëntor, 2021

“Covid-19: Adresimi i ndikimit të dezinformacioneve dhe teorive konspirative përmes edukimit mbi median dhe informacionin” është studimi më i fundit i kryer nga Instituti Shqiptar i Medias, me autor Erlis Çelën, profesor i gazetarisë dhe komunikimit pranë Universitetit Bedër.

Studimi ka për qëllim të identifikojë dhe analizojë çështje të lidhura me edukimin për median dhe informacionin në kontekstin e përhapjes së lajmeve të rreme, dezinformimit dhe teorive të konspiracionit në mediat shqiptare gjatë pandemisë së COVID-19.

Pjesa e parë e studimit përqendrohet te përshkrimi i mbulimit mediatik të pandemisë pas monitorimit të disa televizioneve dhe mediave online.

Po kështu studimi analizon situatën e edukimit për median dhe informacionin në Shqipëri dhe shqyrton qasje të ndryshme kundrejt dezinformimit. Botimi është pjesë e një projekti që Instituti Shqiptar i Medias ka ndërmarrë me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Përfundimet e studimit u diskutuan më 11 nëntor në një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, ekspertë të medias dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Erlis Çela, autori i studimit, paraqiti një panoramë të kontekstit të dezinformimit në vend dhe përhapjen e teorive të konspiracionit mbi pandeminë, duke u përqendruar dhe te shpjegimi teorik dhe empirik rreth arsyeve dhe mënyrës se si përhapen teoritë e konspiracionit.

Irena Myzeqari, profesore e gazetarisë dhe komunikimit, solli përvojën e saj me edukimin për median dhe informacionin, por u përqendrua edhe te konteksti antropologjik, kulturor dhe historik për të shpjeguar mënyrën dhe shkallën e përhapjes së teorive të konspiracionit.

Po kështu, ndryshimet teknologjike, roli i algoritmeve, dobësimi i filtrave të informacionit dhe sfidat etike në raportimin e pandemisë u diskutuan nga pjesëmarrësit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!