“Presim një ndeshje të bukur e të fortë”, Sylivnho: Kili është skuadër me emra të mëdhenj

schedule18:56 - 21 Mars, 2024

schedule 18:56 - 21 Mars, 2024

Mbrëmjen e së premtes, “Legjionarët” e Kombëtares së Shqipërisë do të sfidojnë në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës, testin e parë zyrtarë para fazës së grupeve, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, teksa si kundërshtar do të kenë Kombëtaren e Kilit, me “La Roja”, që ka jo pak emër në futbollin botëror.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp në kuadër të kësaj sfide, nga ku tekniku Sylvinho u shpreh se, ndaj Kilit pret një ndeshje të bukur e të fortë, teksa i konsideroi kundërshtarë si një ekip me emra të mëdhenj. Përtej sfidës, Sylvinho foli edhe për “yjet” e sulmit, teksa u shpreh se ekziston mundësia, që Rey Manaj e Armando Broja të luajnë të dy në repartin ofensiv.

“Lojtarët e dinë që jemi afër Europianit, ama nuk mendojmë për Europianin. Ne jemi të grumbulluar prej katër ditësh, por flasim vetëm për Kilin dhe Suedinë. Nuk janë vetëm miqësore, Kili ka një skuadër të fortë, kanë shumë emra. Ata kanë luajtur në 9 Kupa Bote, kanë kaluar të paktën tri herë në çerekfinalet e Botërorit. Një skuadër që është përballur me Kombëtaret e mëdha, janë mësuar me sfida të tilla.

Ndjesi e bukur si amerikano-latin që jam kjo përballje me ta. Do të jetë kënaqësi të luajmë këtë ndeshje në një stadium të mbushur plot me tifozë shqiptarë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Është një moment i veçantë dhe i bukur për ne. Manaj dhe Hoxha për herë të parë me ne, pothuajse hera e dytë për Brojën. Ka ardhur edhe Sherri, i cili ka qenë edhe njëherë tjetër, por nuk ka luajtur.

A mund të luajnë së bashku Broja dhe Manaj? Po, në futboll është gjithçka e mundur. Broja dhe Manaj kanë karakteristika të ndryshme, do t’i vlerësojmë të dy çdo ditë, por edhe të tjerët. Të gjithë. Nuk është problem për mua t’i aktivizoj të dy bashkë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll. Në këto momente, askush nga ne nuk mendon për listën finale. Kili dhe Suedia janë skuadra të forta, mendojmë vetëm për ta. Nuk është momenti për listën finale të Europianit.

Është momenti të vlerësojmë të gjithë futbollistët, në sensin pozitiv. Edhe ata që nuk janë i kemi në konsideratë. Mujën, Dakun, Gjasulën, të gjithë. Nuk e mbaj mendjen te lista, është momenti të mendojmë për Kilin dhe Suedinë. Pata një eksperiencë si asistent i Tites te kombëtarja Brazilit, zhvilluam një Botëror. Eksperiencë shumë e bukur. Ndikoi që të merrja drejtimin e Shqipërisë.

Dera e Kombëtares është e hapur. Në klub ke 23-24-25 lojtarë, në Kombëtare janë shumë, monitorojmë shumë lojtarë. Unë vëzhgoj dhe analizoj. Vëzhgoj cili luan disa minuta, pak apo fare. Vëzhgoj se cili luan mirë, kjo është detyra ime”,- theksoi tekniku brazilian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!