Nga Erisa Zykaj
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka shpalosur vizionin e ekzekutivit europian mbi gjendjen aktuale të Bashkimit Europian gjatë fjalimit vjetor në seancë plenare të Parlamentin Europian. Në këtë fjalim, Von der Leyen është ndalur dhe te perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor dhe ka komunikuar se do të vizitojë këtë muaj vendet e rajonit. Ky udhëtim vjen para samitit BE-Ballkan Perëndimor, që do të mbahet në tetor në Slloveni, ku zgjerimi i Bashkimit Europian trajtohet si një prioritetet i Bashkimit Europian dhe pjesë e vizionit të përbashkët të institucioneve kyçe dhe shteteve anëtare të kësaj organizate.
“Para fundit të muajit, do udhëtoj në Ballkan për të përçuar angazhimin tonë për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE. Ne ia kemi detyrim të rinjve, që besojnë në të ardhmen europiane. Ndaj, ne po rrisim mbështetjen tonë për planin ekonomik dhe të investimeve në Ballkanin Perëndimor me një të tretën e prodhimit kombëtar bruto të rajonit. Investimi në Ballkanin Perëndimor është investim për Bashkimin Europian” deklaroi ajo.
Në fjalimin e saj, Von der Leyen është ndalur te konteksti i pandemisë, duke nënvizuar se Bashkimi Europian ka shpërndarë 700 milionë doza vaksinash brenda Bashkimit Europian dhe 700 milionë doza për 130 vende jo anëtare, ndërkohë që 1,8 miliard doza vaksinash janë tashmë të siguruara. Von der Leyen ka nënvizuar, se janë shpërndarë 400 milionë certifikata dixhitale COVID-19. Lidhur me rimëkëmbjen ekonomike, presidentja Von der Leyen është shprehur se Bashkimi Europian do të investojë në 5G dhe në fibër.
Ndërkohë, që për evolucionin dixhital, përmes së cilit synohet krijimi i vendeve të reja të punës, Von der Leyen ka shpjeguar, se pavarësia e Bashkimit Europian kalon nga teknologjia dhe për këtë Komisioni Europian do të prezantojë aktin e chipeve europiane. Sipas Von der Leyen, BE-ja do të vazhdojë të zbatojë planin për përballjen me ndryshimet klimatike për 50% reduktim të dioksidit të karbonit në 2033 me një fond të ri për klimën. Komisionit Europian propozon 2022 vitin e rinisë europiane dhe programin e ri Alma si një eksperiencë të re profesionale për të rinjtë europianë në në shtet tjetër të BE-së.
Presidentja e Komisionit Europian u shpreh, se mbrojtja e lirisë së shtypit dhe shtetit ligjor është në qendër të aksionit europian, ndërkohë që gjatë presidencës franceze do të mbahet një samit për mbrojtjen europiane. Von der leyen e mbylli fjalimin e saj me shembullin e Beatrice Vio, një italiane, që vetëm pas shtrimit 119 ditë në spital, ku u përball me rrezikun për jetën dhe operacionet, fitoi medaljen e artë në lojërat para-olimpike.
Në debatin me grupimet politike, presidentja e Komisionit Europian u kritikua për dobësinë e Europës në nivelin gjeopolitik dhe mosndëshkimin konkret të regresit në shtetin ligjor dhe demokraci në disa shtete anëtare të BE-sê./ Abcnews.al