Presidentja e Gjeorgjisë nuk do të paraqitet në seancën dëgjimore në Prokurori

schedule17:02 - 31 Tetor, 2024

schedule 17:02 - 31 Tetor, 2024

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, njoftoi se nuk do të paraqitet në seancën dëgjimore në Prokurori në lidhje me hetimin për falsifikimin e pretenduar të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 26 tetor.

“Doli që Prokuroria pret prova dhe rrëfime nga unë. Duhet të jetë e kundërta, organi hetimor duhet të kërkojë dhe të sigurojë prova, siç është rasti në çdo vend normal,” tha Zurabishvili.

Të mërkurën, Zyra e Prokurorit të Gjeorgjisë nisi një hetim mbi mashtrimin e dyshuar në zgjedhjet parlamentare, pas një ankese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

KQZ-ja njoftoi se ka bërë ankesën më 29 tetor, duke thënë se pas zgjedhjeve, ai institucion u bë “objektiv i sulmeve intensive dhe kritikave të pabaza”.

Rasti ka nisur për shkak të shkeljes së fshehtësisë së votës, numërimit të gabuar të votave ose llogaritjes së gabuar të rezultateve të zgjedhjeve.

Një nga personat e parë të thirrur nga prokuroria për t’u marrë në pyetje është presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.

“Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, së bashku me përfaqësuesit e partive të caktuara politike që morën pjesë në zgjedhje, po kryen sulme të pabaza ndaj KQZ-së, duke tentuar të dëmtojë reputacionin e atij institucioni me akuza të pabaza”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i bëri thirrje partisë në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” që të shkarkojë dhe arrestojë presidenten gjeorgjian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!