Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se javën e ardhshme do të bëjë publik emrin e kandidatit për president. Në një intervistë për “Deutsche welle”, Zaev ka nënvizuar se për zgjedhjen e një kandidati të pranueshëm nga të gjithë do të bisedojë edhe me aleatët shqiptarë.
Pas nominimit të profesoreshës Gordana Siljanovska Davkova kandidate e VMRO-DPMNE-së opozitare për zgjedhjet presidenciale të 21 Prillit, kryeministri Zoran Zaev ka konfirmuar njoftimin e paradyditshëm të Tv Klan se fillimjavën e ardhshme do të dihet edhe emri, prapa të cilit pritet të qëndrojë koalicioni qeverisës i përbërë nga socialdemokratët e tij dhe integristët e Ali Ahmetit.
Në një intervistë dhënë Deutsche Veles, në Mynih, ku ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për çështje të sigurisë, Zaev ka dhënë më shumë hollësi për këtë takim të pritshëm, por ka komentuar edhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.
“Të dielën kam takim me të gjithë partnerët e koalicionit që tradicionalisht janë me ne. Të hënën kemi bisedime me BDI-në në të cilat besoj se do të gjejmë zgjidhjen e përbashkët ose disa zgjidhje të përbashkëta, për shkak se dëshirojmë që edhe partitë e tjera të japin kontributin e tyre, pastaj kemi bisedime edhe me një, më pas edhe me dy parti të tjera shqiptare nga opozita. Besoj se do të bashkohemi më shumë parti politike për të qëndruar prapa emrit të vërtetë që do të ketë shanse për të ngadhnjyer, por edhe që të jetë president më i mirë për vendin tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev në intervistën dhënë Dojçe Veles.
Me këtë rast kryeministri i Maqedonisë së Veriut është deklaruar edhe për dialogun aktualisht të ndërprerë dhe gjasët për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, fillimisht për caktimin e vijës kufitare e që më pas do të çonte edhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe. Duke thënë se mbështet çfarëdo marrëveshjeje që do të çojë përpara bashkëpunimin rajonal, do të garantojë paqen dhe do të avancojë axhendën e përbashkët të integrimit në Bashkimin Evropian, Zaev i është përgjigjur kështu pyetjes se ‘në rast të korrigjimit të kufirit serbo-kosovar, mund të dalë dikush që të kërkojë edhe ndryshim kufiri edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut’:
“Tani vetëm mund të ëndërrojnë të ndryshojnë kufij të Maqedonisë së Veriut. Ne jemi anëtar i NATO-s. Nuk ka ndryshim kufijsh në Maqedoni!’- ka deklaruar kryeministri Zaev nga Mynihu ku mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për çështje të sigurisë”./abcnews.al