Presidenti turk paralajmëron

schedule16:18 - 23 Tetor, 2017

schedule 16:18 - 23 Tetor, 2017

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëron se do të sulmojë pa marrë miratimin e aleatëve, këdo që kërcënon sigurinë e Turqisë. Ai la të kuptohet se mund të ndërhyjë ushtarakisht në Siri, për të sulmuar militantët kurdë në këtë vend, që përkrahen nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan paralajmëron se Turqia do të godasë pa hezitim këdo që rrezikon sigurinë kombëtare të saj. Këtë do ta bëjë pa marrë miratimin e askujt. Një mesazh që në mënyrë indirekte le të hapur mundësinë që ushtria turke të hyjë në Siri për të goditur grupet e armatosura kurde, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, por që Ankaraja aleate e Uashingtonit i konsideron si “terroriste”.
Deklaratën e bëri gjatë një takimi me të rinjtë e partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim. Erdoan tha se Turqia do të asgjësojë çdo rrezik terrorist, ngado që ti vijë. Nëse aleatët tanë strategjikë respektojnë të drejtat tona, edhe ne do të respektojmë të drejtat e tyre – u shpreh presidenti turk. Takimi me të rinjtë i dha start procesit që Erdoan e ka pagëzuar me emrin “Rigjenerimi i Partisë”, një proces që detyron shumë zyrtarë të kësaj partie por edhe përfaqësues të saj në administratën publike, të largohen për t’u lënë vendin të rinjve.
Kohët e fundit, Ankaraja është përfshirë në polemika me aleatët perëndimorë, ndër ta edhe me Shtetet e Bashkuara. Gjatë një interviste për mediat, Erdoan i quajti Shtetet e Bashkuara si “jo demokratike”, pasi Uashingtoni ka lëshuar një urdhërarrest për truprojet e tij, të përfshirë në një sherr masiv me përfaqësues të grupeve politike kurde në Uashington.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!