Donald Trump nuk dorëzohet dhe po përdor cdo mënyrë për të mbajtur pushtetin, madje edhe me kërcënime dhe presione. Presidenti i SHBA-së i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të Xhorxhias për të “gjetur” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit në këtë shtet, ku ai ka humbur.
“Washington Post” ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar mes Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger. Trump e kërcënoni Raffensperger me pasoja të paqarta penale, duke tentuar që ta bindë për të manipuluar procesin zgjedhor.
“Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar“, tha Trump në bisedë, shkruan “Washington Post”. “Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë i rillogaritëm rezultatet” vijon më tej ai.
“Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin” shprehet Trump duke këmbëngulur.
“Ju jeni një Republikan” i tha Trump në një moment, por Raffensperger iu përgjigj “Ne besojmë se kemi një zgjedhje të saktë“, ndërsa Presidenti në detyrë iu u përgjigj, “Jo, jo” duke mos e pranuar humbjen.
Raffensperger i tha Trumpit se po mbështeste teori konspirative për zgjedhjet. “President të dhënat që keni janë të gabuara” i tha ai.
Por Trump e kërcënoi. “Ju e dini se çfarë bënë ata dhe nuk po e raportoni atë. Kjo është një vepër penale. Ju nuk mund ta lejoni atë të ndodhë. Ky është një rrezik i madh për ju” janë fjalët e Trump.
Joe Biden fitoi në Xhorxhia dhe shtetet e tjera duke siguruar 306 vota të kolegjit elektoral që i dhanë Presidencën, por Trump prej 3 nëntorit dhe tani vijon që të deklarojë se zgjedhjet janë manipuluar, ndërsa gjykatat i kanë rrëzuar disa pretendime dhe ankesa ligjore.
Një grup prej 12 senatorësh Republikanë, të udhëhequr nga Ted Cruz deklaruan se kur Kongresi të mblidhet me datë 6 janar për të certifikuar zyrtarisht fitoren e Joe Biden, ata do të kërkojnë krijimin e një komisioni të posaçëm që të kryejë një auditim emergjent për rezultatin e zgjedhjeve.
Megjithatë, Joe Biden pritet që në datë 20 janar të betohet si president i SHBA-së./ db/Abcnews.al