Presidenti Trump është hedhur në sulm që kur u përmbyll raporti mbi hetimin dy vjeçar për lidhjet me Rusinë në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës. Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller nuk nxori aktivitet të paligjshëm nga ana e presidentit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Brown njofton se Presidenti Trump po u kushton vëmendje të veçantë demokratëve që janë shprehur se raporti nuk konfirmon pafajësinë e presidentit.
Presidenti Trump u hodh në sulm të ashpër ndaj atyre që mbështetën hetimet e prokurorit të posaçëm gjatë një tubimi mbrëmë në Miçigan. Ai u përqëndrua në veçanti tek dy ligjvënës demokratë me peshë që kanë thënë se hetimet mbi presidentin, fushatën dhe bizneset e tij do të vazhdojnë: kreun e Komisionit mbi Shërbimet e Zbulimit, Adam Schiff dhe kreun e Komisionit për Gjyqësorin, Jarry Nadler:
“Shumë njerëz u dëmtuan rëndë nga kjo skemë mashtruese. Por ajo që është edhe më e rëndësishme është se u dëmtua vendi. Tani ata po e mbajnë veten me bombol oksigjeni. Adam Schiff-i me qafë të hollë. E pashë sot kur po thoshte “Nuk e dimë vërtetë. Mund të ketë pasur bashkëpunim me rusët.” Është e neveritshme. Këta janë njerëz të neveritshëm,” tha presidenti.
Megjithëse raporti i Prokurorit Mueller nuk është bërë publik, presidenti thotë se përfundimet e raportit e nxjerrin plotësisht të pafajshëm:
“Prokurori i posaçëm e përfundoi raportin dhe nuk ka zbuluar bashkëpunim të fshehtë apo pengim të drejtësisë. Këtë përfundim e kishit nga unë dy vjet e gjysmë më parë. Dola plotësisht i pastër, plotësisht i shpaguar,” the presidenti.
Në përmbledhjen e tij me katër faqe, Prokurori i Përgjithshëm William Barr thotë se “raporti nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer akte të paligjshme, por gjithashtu nuk konfirmon pafajësinë”.
Por Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi thotë se përmbledhja e prokurorit të përgjithshëm nuk mjafton dhe se demokratët duan të lexojnë raportin e plotë.
“Duam të shohim faktet. Duam të shohim çfarë ka raporti. Nuk na duhet fjala apo interpretimi i prokurorit të përgjithshëm, i cili para se të merrte këtë detyrë tha se presidenti është mbi ligjin, apo kur tha se nuk mendon që ndaj një presidenti amerikan mund të ngrihet aktpadi”.
Fillimisht Presidenti Trump u bëri jehonë thirrjeve të demokratëve për publikimin e raportit në formë të plotë. Por deklaratat e zotit Trump dje në adresë të demokratëve flasin për një thellim të përçarjeve politike në Amerikë ndërkohë që demokratët përgatiten për betejë kundër presidentit në zgjedhjet e nëntorit 2020./VOA