Në Rumani presidenti në detyrë, konservatori pro europian Klaus Johanis, fitoi bindshëm në balotazhin e të dielës në kuadër të zgjedhjeve presidenciale në vend. Ai mori një mandat të dytë pesë vjeçar pas fitores në vitin 2014. Sipas rezultateve të publikuara ai ka marrë rreth 67 për qind të votave, dyfishin e votave të marra nga rivalja e tij, ish-kryeministrja socialdemokrate, Viorika Dansila, e cila rezultoi me 33 për qind të votave.
Një fitore e padiskutueshme e cila njëkohësisht tejkaloi çdo parashikim e madje me një rezultat më të thellë se ai i raundit të parë të zgjedhjeve.
Në fjalën e tij të parë Johanis u shpreh se kjo ishte një fitore e Rumanisë moderne, europiane dhe normale. Sipas tij rumunët ishin heronjtë e këtyre ditëve, pasi ishin të shumtë ata që dolën në votime dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Kreu i shtetit rumun njëkohësisht e vlerësoi këtë si një humbje të pastër për socialdemokratët në vend./abcnews.al