Presidenti Meta në Valbonë e Theth

schedule14:22 - 15 Tetor, 2017

schedule 14:22 - 15 Tetor, 2017

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, këtë fundjavë duket se ka lënë mënjanë zyrën dhe kostumin për të vizituar disa prej zonave më të bukura të Shqipërisë, Luginën e Valbonës dhe Thethin. Këto pamje janë përgatitur nga zyra e tij e shtypit, ku Meta shfaqet i veshur sportiv, ndërsa takon banorët e zonës me të cilët përveç shkëmbimit të bisedave ka ngritur edhe dolli. Video është postuar në profilin në Facebook të Presidentit Meta, ku theksohet se ka si synim promovimin e bukurive të Alpeve shqiptare. Presidenti është shprehur i mrekulluar nga bukuritë natyrore që ofrojnë Alpet e Shqipërisë. Duke u drejtuar nga kamera, ai u ka bërë një thirrje të gjithë shqiptarëve që të vizitojnë këto vende të rralla turistike. “Mos mendoni të dashur miq se jam në Tirol të Austrisë apo diku tjetër në Alpet e Evropës. Jam te ‘Syri i Kaltër’ në Theth të Shqipërisë, në Alpet më të bukura në botë. Mos e humbisni mundësinë për të vizituar ‘Syrin e Kaltër’ këtu në Theth në zemrën e Alpeve tona”, përfundon Meta.