Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se pret që dialogu Beograd-Prishtinë të ketë një dinamikë të re këtë vit, “kryesisht në interes të dy vendeve, por edhe në interes të një stabiliteti dhe bashkëpunimi më të gjerë rajonal”.
“Jam i sigurt se çdo zgjidhje e negociuar nga Beogradi dhe Prishtina që respekton të drejtat sovrane dhe integritetin territorial të vendeve fqinje do të marrë mbështetjen tonë,” tha Pendarovski.
Presidenti maqedonas theksoi se pret që qeveria kalimtare të organizojë zgjedhjet e prillit në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, dhe shtoi se pret që palët të sillen me përgjegjësi, siç i takon një shteti të organizuar demokratik, një anëtar i NATO-s dhe një anëtar i ardhshëm i BE.
Presidenti theksoi gjithashtu se pret që të formohet qeveria sapo të mbarojnë zgjedhjet dhe se ai është i gatshëm të kontribuojë në këtë duke iu përmbajtur rreptësisht dispozitave kushtetuese. Pendarovski tha se pavarësisht se kush fiton, kryesore mbetet që proceset e integrimit të vazhdojnë pa vonesë, të vazhdojë zbatimi i reformave dhe politikat e fqinjësisë së mirë, duke përmendur veçanërisht marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë, me të cilat, siç tha ai, janë krijuar kushtet për të mbyllur çështje të vështira të së kaluarës dhe ofrimi i një të ardhme të përbashkët si miq./abcnews.al