Presidenti kinez Xi Jinping në Serbi, pritet nga Vuçiç

schedule08:13 - 8 Maj, 2024

schedule 08:13 - 8 Maj, 2024

Presidenti kinez Xi Jinping mbërriti në Serbi të martën në mbrëmje i shoqëruar nga avionët MIG-29 në një vizitë me masa të larta sigurie, që përkon me 25-vjetorin e bombardimit nga NATO të ambasadës kineze në Beograd, ku u vranë tre gazetarë kinezë.

Serbia, pas Francës, është ndalesa e dytë në vizitën e parë të Presidentit Xi në Evropë në pesë vjet, ku përfshihet edhe një vizitë në Hungari. Në Serbi, e cila shihet si partneri më i rëndësishëm i Kinës në Ballkan, Presidenti Xi pritet të diskutojë investimet e Kinës në vend dhe marrëveshje të reja të mundshme.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarë të qeverisë e pritën Presidentin kinez Xi në aeroportin e Beogradit, ku u prit nga një roje ushtarake e nderit dhe grup kërcimtarësh folklorikë. Të dy udhëheqësit do të zhvillojnë një takim dypalëshë të mërkurën.

Më 7 maj 1999, 20 shtetas kinezë u plagosën në sulmin e NATO-s, i cili shkaktoi zemërim në Kinë dhe një kërkim falje nga presidenti i atëhershëm amerikan Bill Clinton.

Ambasada u godit gjatë një fushate ajrore kundër Jugosllavisë së atëhershme për të detyruar presidentin serb Slobodan Millosheviç që t’i jepte fund shtypjes së shqiptarëve në Kosovë.

“Populli kinez e vlerëson paqen, por kurrë nuk do të lejojë përsëritjen e tragjedive të tilla”, tha Presidenti Xi në një artikull të opinionit në të përditshmen “Politika” të martën.

Rrugët e Beogradit u zbukuruan me flamuj kinezë dhe pankarta ndërsa mijëra oficerë policie u angazhuan për t’u kujdesur për sigurinë e Presidentit Xi dhe delegacionin e tij 400 anëtarësh, vizita e nivelit më të lartë nga një udhëheqës i huaj në vite./VOA

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!