Presidenti i Venezuelës mbyll për 10 ditë Twitter për shkak të mosmarrëveshjes me Musk

schedule08:23 - 9 Gusht, 2024

schedule 08:23 - 9 Gusht, 2024

Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro ka nënshkruar një dekret që bllokon aksesin në platformën e mediave sociale X, dikur Twitter, për 10 ditë pas një mosmarrëveshjeje me pronarin Elon Musk.

Të dy burrat kanë shkëmbyer fjalë të ashpra që kur Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të muajit të kaluar. Musk e ka përshkruar liderin venezuelian si një “diktator” dhe “klloun”, ndërsa Maduro e ka akuzuar Musk për nxitje të “urrejtjes, fashizmit dhe luftës civile”.

Ndërkohë nuk kanë të ndalur protestat në Venezuelë, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që shpallën edhe njëherë fitues presidentin Nicolas Maduro.

Rezultati u kundërshtua nga opozita dhe faktori ndërkombëtarë dhe që nga ajo ditë njerëzit kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e Maduros, duke u përballur me policinë dhe ushtrinë.

Deri në këto momente raportohet për të paktën 1229 persona të arrestuar, një pjesë e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Janë rritur shqetësimet për fatin e deputetit të opozitës Américo De Grazia, për të cilin nuk ka asnjë lajm prej më shumë se 24 orësh.

Në daljen e tij të fundit në publik, në Karakas, Maduro vendosi të ndalojë përkohësisht përdorimin e rrjetit social X, i cili sipas tij po nxit një luftë civile mes venezuelianëve.

Megjithatë, ekspertët dhe opozitarët i frikësohen faktit se pas X shumë platforma të tjera apo rrjete ndërkombëtare lajmesh do të kenë të njëjtin fat, për të bllokuar fjalën e lirë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!