Presidenti i Ukrainës urdhëron mobilizim të plotë ushtarak

schedule03:24 - 25 Shkurt, 2022

schedule 03:24 - 25 Shkurt, 2022

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka urdhëruar një mobilizim të përgjithshëm ushtarak. Në një deklaratë të nënshkruar të enjten vonë, Zelensky tha se “për të siguruar mbrojtjen e shtetit, për të ruajtur gatishmërinë luftarake dhe mobilizuese të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe formacioneve të tjera ushtarake,” u urdhërua një mobilizim me bazë të gjerë, duke përfshirë  kryeqytetin Kiev dhe të gjitha qytetet kryesore të Ukrainës. “Mobilizimi do të kryhet brenda 90 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij dekreti,” thuhet në njoftim.

Mobilizimi udhëzoi gjithashtu “Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës të marrë masa kundërzbulimi gjatë mobilizimit të përgjithshëm” raportojnë gazetaret Tamara Qiblawi dhe Caroll Alvardo të “CNN”. Në mobilizim urdhërohej “rekrutimi i rekrutëve, rezervistëve për shërbimin ushtarak, dërgimin e tyre në njësitë dhe institucionet ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës” dhe shërbime të tjera të sigurisë shtetërore. Në të njëjtën kohë, Ukraina ka ndaluar shtetasit meshkuj 18-60 vjeç të largohen nga vendi, sipas Shërbimit Shtetëror të Rojes Kufitare.

Në deklaratë thuhej se pas futjes së ligjit ushtarak në Ukrainë, ishte vendosur një kufizim i përkohshëm. “Në veçanti, është e ndaluar për meshkujt e moshës 18-60 vjeç, shtetas ukrainas, të largohen nga kufijtë e Ukrainës,” thuhet në deklaratë. “Kjo rregullore do të qëndrojë në fuqi për periudhën e regjimit ligjor të gjendjes ushtarake.

Kërkojmë nga qytetarët që ta kenë parasysh këtë informacion”. Të paktën 57 persona kanë vdekur dhe 169 janë plagosur që nga nisja e pushtimit nga Moska, sipas ministrit të Shëndetësisë të Ukrainës, Viktor Lyashko. “Ne po qëndrojmë në shtëpi. Ne nuk duam të largohemi,” thotë 24-vjeçari Andrew, i cili sapo kishte mësuar për ndalimin e udhëtimit për burrat ukrainas.

Ai nuk e bëri të ditur emrin e tij të plotë për arsye sigurie. “Unë nuk mund të largohem tani sepse përditësimi i fundit ishte se djemtë nga 18 deri në 68 … nuk mund të largohen nga kufijtë e Ukrainës,” thotë ai. “Ne do të qëndrojmë këtu derisa rusët të kthehen në shtëpi sepse është e rëndësishme për ne të qëndrojmë në shtëpitë tona,” shtoi ai. “Ne do të qëndrojmë me qeverinë tone”.  / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!