Presidenti i Sirisë Assad, i bën thirrje OKB-së për ndihmë pas tërmetit vdekjeprurës

schedule22:33 - 13 Shkurt, 2023

schedule 22:33 - 13 Shkurt, 2023

Presidenti sirian Bashar al-Assad të hënën bëri thirrje, gjatë një takimi me koordinatorin e urgjencës së OKB-së, për ndihmë ndërkombëtare për të rindërtuar zonat e vendit të tij të shkatërruara nga tërmeti vdekjeprurës, njoftoi presidenca siriane.

Damasku ka qenë i izoluar në skenën diplomatike që nga lufta që shpërtheu me shtypjen e dhunshme të një kryengritjeje popullore kundër qeverisë në vitin 2011. Ky izolim ka komplikuar përpjekjet ndërkombëtare për të çuar përpara ndihmën për viktimat e tërmetit të 6 shkurtit.

Presidenti Assad “theksoi rëndësinë e përpjekjeve ndërkombëtare që synojnë të ndihmojnë në rindërtimin e infrastrukturës në Siri”, sipas deklaratës së presidencës.

Në të njëjtën kohë, Helmetat e Bardha, grupi i shpëtimit sirian, njoftoi këtë mbrëmje se të vdekurit në Sirinë veriperëndimore nga tërmeti arritën në 2274, sipas numërimit të fundit. Ata thanë se shifrat e tyre prej më shumë se 12,400 të plagosurve janë nën kujdes mjekësorë.

Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths, u takua sot në Damask edhe me kreun e diplomacisë siriane, Faisal Moqdad. Ai kishte udhëtuar më parë në Aleppo, një qytet në Sirinë veriore nën kontrollin e rebelëve, ku tërmeti la më shumë se 200,000 të pastrehë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në Aleppo, Griffiths i tha shtypit se OKB-ja synon të mbledhë para për organizatat që ndihmojnë sirianët.

“Apelet që do të bëjmë në ditët në vijim, një për Sirinë dhe një për Turqinë, do të mbulojnë nevojat humanitare për gati tre muaj,” tha ai.

Të vdekurit nga tërmeti tejkalojnë 36,000 në të dy vendet, nga të cilët më shumë se 3,500 në Siri, ku 5.3 milionë njerëz, sipas OKB-së, janë në rrezik të mbeten të pastrehë.

Pavarësisht sanksioneve që godasin Damaskun, zonat e kontrolluara nga qeveria e Sirisë marrin ndihmë ndërkombëtare përmes agjencive të OKB-së, shumë prej të cilave kanë zyra në kryeqytetin sirian.

Por ndihmave i është dashur kohë për të arritur në Siri, ku gati 12 vjet luftë kanë dobësuar sistemin shëndetësor dhe disa zona mbeten nën kontrollin e rebelëve.

Griffiths pranoi të dielën se OKB-ja deri më tani i ka lënë njerëzit e Sirisë veriperëndimore në duart e tyre.

Para tërmetit, pothuajse e gjithë ndihma humanitare e destinuar për më shumë se katër milionë njerëz që jetonin në zonat e kontrolluara nga rebelët në Sirinë veriperëndimore mbërriti nga Turqia përmes pikës së kalimit Bab al-Hawa.

Transferimi i ndihmave u ndërpre nga tërmeti para se të rifillonte të enjten, ndërsa thirrjet për hapjen e pikave të tjera po shtohen. /abcnews.al