Presidenti i Komitetit Olimpik Polak, Radosław Piesiewicz, është arrestuar nga autoritetet polake në kuadër të një hetimi për korrupsion të lidhur me kriptomonedhat.
Sipas zyrtarëve, Piesiewicz dyshohet se ka pranuar ryshfete nga një tregtar kriptomonedhash në këmbim të marrëveshjeve sponsorizuese. Hetimi për çështjen nisi në prill, ndërsa zhvillimet kanë bërë që shumica e federatave sportive në Poloni të kërkojnë dorëheqjen e tij.
Radosław Piesiewicz, prezes Polskiego Komitetu Olimpijskiego, został doprowadzony do prokuratury, gdzie zostanie przesłuchany i usłyszy zarzuty. pic.twitter.com/xY3inTNEHa
— tvp.info 🇵🇱 (@tvp_info) August 27, 2026
Piesiewicz, i cili konsiderohet një bashkëpunëtor i afërt i krahut të djathtë nacionalist në Poloni, dyshohet se ka marrë përfitime të paligjshme nga kompania e kriptomonedhave Zondacrypto. Autoritetet polake kanë ngritur akuza dhe dyshime të tjera lidhur me kompaninë, përfshirë pretendime për lidhje me grupe nacionaliste të opozitës, krimin e organizuar dhe shërbimet ruse të inteligjencës.
Arrestimi është konfirmuar edhe nga ministri polak i Sportit, Jakub Rudnicki, i cili reagoi publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Radosław Piesiewicz është arrestuar”, deklaroi ministri, duke shtuar se një person me një profil të tillë “nuk duhet të kishte marrë kurrë pozicionin e presidentit të Komitetit Olimpik Polak”.
Rudnicki akuzoi gjithashtu Piesiewicz se ka dëmtuar rëndë imazhin e sportit polak dhe të Lojërave Olimpike të vendit.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse Piesiewicz ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga marrëveshjet e sponsorizimit dhe nëse ka pasur ndërhyrje të tjera të paligjshme në marrëdhëniet mes kompanive të kriptomonedhave dhe institucioneve sportive polake.

