Presidenti i Iranit Rohani urdhëron injektimin e uraniumit në centrifuga

schedule14:24 - 5 Nëntor, 2019

schedule 14:24 - 5 Nëntor, 2019

Irani është vetëm një hap larg tërheqjes nga marrëveshja për programin bërthamor të firmosur në vitin 2015. Presidenti i vendit Rohani, urdhëroi injektimin e uraniumit në centrifuga, ndërsa vetëm një ditë më parë pasurimi i uraniumit në vend u dhjetëfishua.

Presidenti Iranian Hasan Rohani deklaroi se Irani do të bëjë një tjetër hap prapa në marrëveshjen për programin bërthamor. Kreu I shtetit konfirmoi rifillimin e pasurimit të uraniumit në impiantin e Fordou-t.

Rohani shtoi se kishte autorizuar organizatën iraniane për energjinë bërthamore që të niste me injektimin e gazit të uraniumit në më shumë se një mijë centrifuga në impiantin e pasurimit të Fordou në Kom.

Në një deklaratë për shtyp Rohani tha se vendimi është i pakthyeshëm dhe u kërkoi palëve të përfshira në marrëveshjen për programin bërthamor në 2015-ën që të dëmshpërblejnë pasojat e sanksioneve amerikane në ekonominë iraniane.

Marrëveshja e firmosur nga 5+1, nga e cila një vit më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën në mënyrë të njëanshme, parashikon që republika islamike mund të ketë në funksion një maksimum prej 5.060 centrifugash të tipit Ir-1.

Ndërkohë shtëpia e bardhë ka reaguar duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë paqen dhe mbështesin popullin Iranian, dhe tashmë një gjë të tillë duhet të bëjë dhe regjimi Iranian.

Në një deklaratë për shtyp të shtëpisë së bardhë thuhet qartë se deri kur Irani nuk do të ndryshojë qëndrimin armiqësor, do të vazhdojnë sanksionet amerikane sjkatërruese. Po në deklaratë thuhet se regjimi Iranian ka një zgjedhje, në vend që të jetë shteti lider në botë si sponsor i terrorizmit, mund ti japë prioritet popullit Iranian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!