Presidenti i FIFA-s letër ngushëllimi Dukës, Rragami: Një legjendë e futbollit shqiptar

schedule11:30 - 20 Janar, 2022

schedule 11:30 - 20 Janar, 2022

Ngarja nga jeta e Ramazan Rragamit, ishte një lajm i trishtë për gjithë futbollin shqiptarë. Legjenda e futbollit tonë ishte njohur edhe në UEFA, sepse ndryshoi një nga rregullat e gjuajtjes së penalltive në kohën shtesë.

Për këtë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino i ka dërguar një letër presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ku shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të njohur shkodran, Ramazan Rragami.

Në mesazhin e tij, Presidenti i qeverisë botërore të futbollit thekson se fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin për këtë humbje, teksa shton se trashëgimia dhe kontributi i Rragamit brenda dhe jashtë fushës së futbollit nuk do të harrohet.

Letra e presidentit të FIFA-s:

“I nderuar President! Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të ekipeve kombëtare, Ramazan Rragami. Fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin që ndjejmë për këtë humbje.

Gjatë karrierës së tij, Rragami ka luajtur rregullisht me Kombëtaren e Shqipërisë në vitet 1965-1973. Në nivel klubesh, ai do të mbahet mend për karrierën e tij të suksesshme me KF Vllazninë, ku fitoi dy tituj kampion, si dhe me FK Partizani dhe KF Skënderbeu Korçë.

Pas tërheqjes nga futbolli, ai drejtoi si trajner Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, si dhe KF Vllazninë, ku fitoi edhe një titull tjetër kampion.

Një legjendë e KF Vllaznisë dhe futbollit shqiptar, trashëgimia dhe kontributi i tij brenda dhe jashtë fushës nuk do të harrohet dhe do të na mungojë.

Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, dëshiroj të shpreh ngushëllimet tona më të thella për Federatën e Futbollit të Shqipërisë dhe për familjen, miqtë dhe të afërmit e Ramazanit. Mendimet tona në këtë moment janë me të gjithë ju.

Shpresojmë që këto kujtime dhe fjalët tona të mund t’ju sjellin pak paqe dhe ngushëllim në këto çaste të vështira për ju.

I juaji sinqerisht, Gianni Infantino”. /f.a/abcnews.al