Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka kundërshtuar sërish zhvendosjen e banorëve të Gazës në Gadishullin Sinai për shkak të bombardimeve të vazhdueshme izraelite në Gaza, duke theksuar rëndësinë e mos komprometimit për çështjen palestineze, raporton Anadolu.
Siç raporton kanali televiziv ‘Cairo News’, duke u adresuar në një konferencë për media në Kajro me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, al-Sisi tha se miliona egjiptianë do të mbështesin qëndrimin zyrtar.
Presidenti egjiptian propozoi zhvendosjen e përkohshme të palestinezëve në shkretëtirën Negev në Izrael derisa të përfundojnë operacionet ushtarake.
Mbrëmë, siç njoftuan zyrtarët palestinezë në enklavën e rrethuar, mbi 500 njerëz u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza. Megjithatë, Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.
Konflikti filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.
Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.
Mes dënimit në mbarë botën, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.
Të paktën 3.300 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa në palën izraelite shifra qëndron në mbi 1.400 të vrarë.