Nga Edi Oga
Presidenti që aktualisht kemi në detyrë, nuk është më i miri që mund të kishim. Për këtë besoj biem dakord.
Por nuk mund të themi se është më i keqi i mundshëm. Për këtë mund edhe të mos biem dakord. Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta lënë në zyrë, më duket më i vlefshëm sesa i kundërti.
Presidenti i një shteti, nuk mund të jetë aq i brishtë, sa të shkarkohet nga drejtësia çdo herë që atë e shkarkon politika. Në të njejtën kohë, presidenti nuk mund të ketë liri të pakufizuar veprimesh, sidomos nga ato që bien ndesh me interesat më të larta kombëtare, arsye për të cilat ai individ ngarkohet me atë detyrë aq të lartë.
Në rrethanat e mungesës së një ligji të posaçëm kushtetues që rregullon veprimtarinë e presidentit, sipas meje, vendimi i GjK është i duhuri.
Më habisin ata që komentojnë vlefshmërinë e vendimit të kësaj gjykate dhe merren me anëtarët e kësaj trupe si individë. Nëse nuk besojmë tek ky “autoritet fundor” i drejtësisë, vëmë në diskutim serioz edhe domosdoshmërinë kategorike për të besuar në Zot.
Edhe Zoti vetë, nuk dënon gjithmonë njerëzit e provuar të këqinj, por askush nuk mund të mohojë ekzistencën apo vlerën që ka për ne si vdekatarë besimi “i verbër” dhe i padebatueshëm në një autoritet suprem.
Ashtu si Zoti pranohet si “mbreti i gjithësisë”, gjykata duhet të pranohet si “mbreti i drejtsisë”. Mbreti të dënon dhe të fal sipas arsyeve të veta. Edhe drejtësia. Ama të gjithë e pranojmë që në thelb “të punëve të Zotit” qëndron mirësia. Ndoshta edhe në thelb të punëve të drejtësisë.
E re apo jo.
E kapur apo e pavarur. /abcnews.al