Presidenti Begaj vijon turin në Kalabri, viziton bibliotekën dhe kishën e ndërtuar nga arbëreshët

schedule14:57 - 2 Maj, 2024

schedule 14:57 - 2 Maj, 2024

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vijoi sot turin në Kalabri me vizitat në katundet arbëreshe të pavizituara më parë më parë nga presidentët shqiptarë.

San Martino di Finita, San Benedetto Ullano dhe Cerzeto ishin tre komunat e tjera të Kozencës që mikpritën sot Kryetarin e Shtetit.

Në sheshin e San Martino di Finita, në hyrje të të cilit ndodhet shqiponja dykrerëshe, ai u prit nga drejtuesit e komunës dhe banorët arbëreshë e shqiptarë, të cilët kanë shkuar aty pas viteve ’90. Veç historisë së ruajtur në arkitekturë, San Martino di Finita ka të arkivuar në bibliotekën e komunës edhe të gjithë të shkuarën e lashtë. Presidenti Begaj vizitoi bibliotekën dhe kishën e ndërtuar nga arbëreshët në fillim të shekullit të XVI dhe përcolli mesazhin e vijimësisë së traditës për të promovuar këtë thesar historik.

“Kjo është një kërkesë që i bëhet Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë për të vizituar të gjitha komunat arbëreshe, kërkesë e lidhur me mundësinë për t’u takuar së bashku, për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mundësuar realizimin e të gjitha nevojave dhe problemeve të zgjidhshme që ju mund të keni”, – theksoi Presidenti nga San Martino di Finita, ndërsa shprehu besimin se veç tij, që është i pari President shqiptar që viziton këto komuna, do të vijnë më pas edhe të tjerë personalitete për të mundësuar një shkëmbim idesh e vizionesh për të ardhmen e përbashkët.

“Besoj se pas vizitës sime të parë arritëm diçka. Rai Calabria tashmë ka një program në arbërisht”, – u shpreh Presidenti  Begaj, i cili premtoi projekte të tjera, të cilat duhet t’u shërbejnë të rinjve, pasi do të jenë ata që do të trashëgojnë dhe do të promovojnë vlerat e Arbërisë dhe kombit.

Më pas Presidenti Begaj vizitoi qytetin e lashtë, San Benedetto Ullano, ku u prit nga banorë të veshur më kostume tradicionale, të cilët e shoqëruan atë përgjatë vizitave në Muzeun e Palazzo Bisciglia, ku ruhet çdo dokument i arbëreshëve të parë që ndërtuan këto rajone, si dhe në kishën e ndërtuar nga familja Rodota me origjinë nga Shkodra.

“Jam këtu t’ju falënderoj për të gjithë ushqimin që ju jepni i përditë atdhedashurisë, ushqim që fillon me mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës arbëreshe, dhe vazhdon të tregohet çdo ditë me historitë tuaja dhe me portat që ju sapo keni zhvilluar si projekte për të vazhduar për të trajtuar historinë e Arbërisë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke vlerësuar projektin “Le Porte Narranti” në San Benedetto Ullano, me dyer të vjetra të pikturuara, që ruajnë trashëgiminë identitare, historinë dhe gjuhën arbëreshe.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!